Loading…

Analet një kryetari të dështuar: Myta që e mbyti transparencën në Prizren

  • Nga

  • BASHMIR XHEMAJ

  • 05/03/2020 | 10:42

Analet një kryetari të dështuar: Myta që e mbyti transparencën në Prizren

Po e prisja me padurim konferencën për shtyp të KDI-së për Transparometrin komunal për vitin 2019. Nga kërkimi i shpejt në raportin voluminoz, Prizreni figuronte në kolonën e komunave që nuk janë plotësisht transparente. Ai renditej pas disa komunave të vogla të Kosovës. Kishte dështuar ta respektonte ligjin për organizimin e të paktën 10 seancave të Kuvendit Komunal gjatë vitit; nuk kishte organizuar asnjë dëgjim publik gjatë shtatorit për buxhetin e vitit 2020; asnjë takim publik të organizuar për KAB 2020-2022 dhe uebfaqja e Komunës së Prizrenit në gjuhët zyrtare ishte renditur në kolonën pjesërisht.

Shkruan – Bashmir Xhemaj

Nga një premtim për transparencë radikale në vitin 2017, Mytaher Haskuka është shndërruar në kryetarin radikal që i thotë jo transparencës. Ai ka një vit që nuk ka mbajtur mbledhje të ekzekutivit komunal i njohur si Bordi i Drejtorëve. Vendimet e tij janë bërë publike me vonesë dhe qeverisja është shoqëruar me mungesë komunikimi të brendshëm në proceset vendimmarrëse. Qasja përjashtuese e tij ka filluar gradualisht ndaj administratës civile dhe ka vazhduar edhe ndaj shoqërisë civile e medias. Kjo gjendje ka prodhuar pashmangshëm pasoja në përmirësimin e shërbimeve publike komunale. Rrjedhimisht më pak qytetarë kanë marrë pjesë në proceset vendimmarrëse si dhe janë rritur mundësitë për më shumë abuzim e keqmenaxhim.

Ky përkeqësim nuk është i befasishëm kur analizohet historia e sjelljes së kryetarit të Komunës nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka. Ai jo vetëm që ka mbyllur komunën dhe zyrën e tij për mediat e shoqërinë civile por është kthyer kundër tyre. I ka shpallur armiq. Ka degraduar sjellja e tij. Përçmuese është gjuha ndaj një numri të organizatave të shoqërisë civile dhe pjesëtarëve të saj të cilët vazhdojnë të mbesin në Prizren zëri më kritik ndaj çdo pushteti. Edhe atij të mëhershmit të LDK-së e PDK-së.

Është për keqardhje të shohësh se si sulmohen edhe publikisht njerëzit që besonin në vitin 2017 se qyteti meriton një qeverisje më të mirë. Ishin të bindur se duhet ndërruar pushteti nëse për hiç gjë – të paktën për të demonstruar një test pjekurie të demokracisë. Dhe akuzat e Haskukës pothuajse në mënyrë të përsëritshme përbëjnë shqetësim e zhgënjim. Gjuha e tij ka rrëshqitur në akuza të turpshme që nuk i kanë hije një kryetari komune që u votua si premtim për të qeverisur ndryshe.

Është për keqardhje se si një kryetar i fajëson të gjithë dhe vetë pretendon se nuk ka faj. Partitë e tjera e kanë fajin për dështimet por jo partia e tij. Fillimisht fajësonte partitë që kishte lidhur koalicion si NISMA dhe LDK kurse tani u është kthyer atyre opozitare. Fajin për dështimet e ngecjet ia kanë gjithë të tjerët. Dhe fajësimi e ankesat duket se janë mantra e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo i shpik “armiqtë imagjinarë” por asnjëherë të marrë vetë përgjegjësi. Mos puna përkthehet në akuza; në kërcënime e shantazh. Edhe nëse mund të kenë për njëfarë kohë sukses ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, kjo qasje nuk do të vlej në raport me qytetarët. Ashtu si ata u thanë jo qeverive të kaluara do ti thonë edhe kësaj të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren. Sepse qyteti ka guxim. Ka njerëz që nuk nënshtrohen e shantazohen. Dhe si çdo herë, ky lloj burimi e energjie buron nga shoqëria civile e mediat.

Nga qytetarët e lirë që duan vetëm të mirën e qytetit të tyre. Që besojnë se pushteti do të punoj për çfarë është votuar. Që janë të pa mëshirë ndaj çdo pushteti. Dje kundër LDK e PDK, sot kundër VV-së. Ndaj kësaj partie që po instalon standarde të dyfishta të qeverisjes. Për më shumë, në shkrimin e radhës do të mësoni për historinë e drejtorëve me aktakuza e të cilët vazhdojnë të dalin në vendin e punës dhe paguhen me taksat tona.

(Autori është profesor i Marrëdhënieve me publikun dhe kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë