Loading…

Analistët: 3 sfidat që mund ta çojnë në dorëheqje Qeverinë e re

  • 09/10/2019 | 20:44

Analistët: 3 sfidat që mund ta çojnë në dorëheqje Qeverinë e re

Analistët tregojnë 3 sfidat që do të përballet qeveria e re, të cilat ajo nuk mund t’i përballonte dhe mund të vie deri në dorëheqje, shkruan Gazeta Metro.


Të gjitha votat e rregullta janë numëruar dhe nga ky rezultat Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka numëruar të gjitha votat e rregullta dhe nga ky rezultat Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit e cila ka arritur që të marrë 203 mijë e 5 vota apo 25.49 për qind.

E dyta në këto zgjedhje ka dalë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ky subjekt politik në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit ka arritur që të siguroj 197 mijë e 702 vota apo 24.82 për qind.

Në bazë të këtyre rezultateve, Vetëvendosje dhe LDK do të mund të formojnë koalicionin qeverisës dhe që të dyja mund t’i kenë 61 deputetë në Kuvend.

Mirëpo edhe pse akoma zyrtarisht nuk është bërë koalicioni mes këtyre dy partive, qeverinë e ardhshme do e presin sfida shumë të mëdha.

Milzim Krasniqi, profesor universitar, ka thënë për lajmi.net se, rezultati zgjedhor Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ua mundëson krijimin e qeverisë pa problem pasi që siç u shpreh ai, këto dy parti mund të formojnë qeverinë pa problem.

“Koalicioni ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës unë e shoh të natyrshëm në bazë të mesazheve që kanë dhënë para zgjedhjeve kur kanë tentuar të formojnë koalicion parazgjedhor po ashtu edhe këto ditë kanë mbërri të manifestojnë preferenca të ndërsjella. Rezultati zgjedhor iu mundëson krijimin e koalicionit qeverisës pa probleme ata tashmë besoj që kanë rreth 61 vota dhe me votat e minoriteteve joserbe mund të formojnë qeveri pa problem. Varet vetëm prej vullnetit të tyre dhe mënyrës se si e menaxhojnë procesin e marrëveshjes”, u shpreh Krasniqi për lajmi.net.

I pyetur se çka pret nga ky koalicion dhe cilat janë sfidat që e presin qeverinë e ardhshme, Krasniqi ka thënë se koalicionin Vetëvendosje-LDK do ta pres punë e vështirë.

Sipas tij, qeveria e ardhshme vështirë se do të mund t’i bëj ballë presioneve dhe ka gjasa që për shkak të presionit do të detyrohet të jap dorëheqje.

“Ndërsa çka pres, sinqerisht pres se do të jetë një punë e vështirë e qeverisë veçmas lidhur me negociatat që do të jenë “guri në qafë” për këtë qeveri më shumë se për të gjitha qeveritë e deritashme sepse tash pritet finalizimi i marrëveshjeve dhe finalizimi nënkupton rritjen enorme të presioneve mbi qeverinë sa do të jetë e gatshme që ta përballojë presionin, tash për tash nuk mund të supozoj, por jam i bindur se nuk do të jetë e aftë që ta përballojë presionin. Me informatat që i kam, janë tri opsione në tavolinë. I pari është shkëmbimi i territoreve, dyti është krijimi i autonomisë së serbëve në veri dhe i treti është izolimi total i Kosovës përkatësisht dështimi i shtetit të Kosovës. Secili opsion është më i keq se tjetri. Pra qeveria do të përballet me projekte tmerrësisht të pafavorshme. Se si do t’ia dalë mban sot për sot nuk mund të thuhet por supozimi më i mundshëm është që nuk do t’ia dalë. Do ta ketë shumë të vështirë ose do të detyrohet të bëj lëshime të rënda ose do të detyrohet të jap dorëheqje”, theksoi Krasniqi për lajmi.net.

Në anën tjetër edhe Rrahman Paçarizi analist politik dhe profesor universitar ka thënë për lajmi.net, se koalicionin Vetëvendosje-LDK e presin shumë punë e në veçanti dialogu me Serbinë.

“Së pari duhet të pritet që të bëhet koalicioni dhe duket sikur ka vullnet ndërmjet këtyre dy partive politike fituese të këtyre zgjedhjeve për ta bërë një koalicion, por detyra-puna e parë që i pret është dialogu do me thënë zhbllokimi i dialogut që mund të bëhet vetëm përmes taksës, nëse do ta kenë vullnetin dhe guximin për ta bërë një gjë të tillë atëherë kjo mbetet të shihet, përndryshe edhe vendi do të vazhdojë të mbetet i bllokuar dhe i izoluar dhe një situatë pak më të qartë do ta kemi pas takimeve që zotëri Grenell do t’i zhvillojë sot me zyrtarët e Kosovës ata aktual dhe ata në ardhje”, u shpreh Paçarizi.

Sipas tij, ky koalicion do të përqendrohet më shumë në fushat e zhvillimit të vendit, zhvillimit ekonomik, pastaj zhvillimi i sistemit të drejtësisë rendit dhe ligjit, luftën kundër korrupsionit.

Paçarizi po ashtu ka thënë për lajmi.net se, Lëvizja Vetëvendosje duhet të reformohet dhe të sigurojë një përfaqësim dinjitoz të Kosovës.

“Besoj se në planin ndërkombëtar ndoshta Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i kthehet atyre lidhjeve tradicionale për ta zhbllokuar vendin, por Lëvizja Vetëvendosje duhet të reformohet në këtë plan në mënyrë që të sigurojë një përfaqësim dinjitoz por edhe një rikthim të bashkëpunimit të Kosovës me faktorin ndërkombëtar e para së gjithash me aleatët e Kosovës”, ka deklaruar Paçarizi.

Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare dhe politike ka thënë për lajmi.net, se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht ndryshimeve të thella ideologjike, duhet ta formojnë sa më shpejt qeverinë, pasi që siç u shpreh Fetoshi, Kosova nuk duhet të humbas kohë.

“Ajo që ka më së shumti rëndësi aktualisht është një marrëveshje e shpejtë për koalicionin, në mënyrë që të mos humbim kohë dhe të përballemi me sfidat e vështira e të ngutshme për të ardhmen e Kosovës. Një dakordim i shpejtë i këtyre dy subjekteve të cilat kanë dallime të thella ideologjike lidhur me programin dhe prioritetet, do të kishte ndikim pozitiv të brendshëm duke e rikthyer shpresën e humbur, por edhe sa i përket sfidave që kemi përpara siç është dialogu dhe luftimi i korrupsionit, duke pasur parasysh fuqinë e tyre politike. Pra, një qeveri stabile sa i përket numrave dhe një qeveri që ka vendosmëri e vizion të qartë për detyrat imediate, do të ishte një garanci më e fuqishme për t’i evituar dështimet e mëtejshme në procesin e shtetndërtimit”, u shpreh Fetoshi për lajmi.net.

Sipas tij, vetë vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtar menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve dëshmojnë se marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë është prioritet i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

“Vizitat e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë menjëherë pas zgjedhjeve tregojnë se dialogu ose marrëveshja me Serbinë është prioritet i SHBA-ve dhe BE-së, por kjo s’duhet t’i eklipsojë problemet e brendshme serioze me të cilat duhet të merret qeveria e re”, ka thënë Fetoshi për lajmi.net.

Fetishi ka thënë se duke e parë të gjithë këtë situatë, qeveria e re duhet të riforcojë partneritetin me aleatët ndërkombëtar, pari që një gjë të tillë që të dy subjektet politike e kishin premtuar edhe gjatë fushatës së tyre zgjedhore.

“Ajo që i duhet Kosovës sot është riforcimi i partneritetit me aleatët në planin e jashtëm dhe përkushtimi i institucioneve ndaj sundimit të ligjit si parakusht për drejtësinë dhe zhvillimin në planin e brendshëm. Këtë e kanë premtuar të gjithë gjatë fushatës dhe kjo nënkupton nevojën për angazhim serioz në të dyja frontet paralelisht”, deklaroi Fetoshi.

Duhet theksuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarisht akoma nuk kanë zhvilluar asnjë takim sa i përket koalicionit të mundshëm qeveritar.

Pavarësisht rezultateve preliminare, akoma nuk janë numëruar votat me kusht, postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme, KQZ-ja me rekomandim të QNR-së ka marrë vendim që të rinumërohen 313 vendvotime./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë