Loading…

Analistët për festën e pavarësisë: I panevojshëm organizimi i dy ceremonive në FSK

  • 18/02/2020 | 19:11

Analistët për festën e pavarësisë: I panevojshëm organizimi i dy ceremonive në FSK

Festa e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, nuk i bashkoi presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë e cila është mbajtur në Forcat e Sigurisë së Kosovës.


Forcat e Sigurisë së Kosovës u detyruan të mbajnë dy ceremoni brenda ditës, në njërën pritën kryeministrin Kurti me kryeparlamentaren Osmani, e disa orë më vonë ata u rreshtuan për komandantin suprem, Hashim Thaçi.

Dy ceremoni të tilla nuk do të duhej të mbaheshin, konsiderojnë analistët politikë.

Analisti Ramush Tahiri, duke komentuar festën e pavarësisë dhe dy ceremonitë në FSK, tha se nuk ka qenë e nevojshme të ndodhë një gjë e tillë, duke shtuar më tej se Kurti dhe Osmani kanë mundur ta presin Thaçin.

“Nuk e di se si ka qenë agjenda e presidentit Thaçi, mirëpo nëse ai nuk e ka mbërritur në kohë ceremoninë në FSK-së, pala tjetër ka mundur ta shtyjë agjendën dhe ta presin”, tha ai për Telegrafin.

Tahiri tha se raportet mes Thaçit, Kurtit dhe Osmanit dihet se nuk janë të mira, mirëpo insitucionalisht janë të detyruar të kenë raporte korrekte, sepse, sipas tij, asnjë institucion nuk mund të pësojë për shkak të inateve personale.

Ndërsa, Arton Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”, ka thënë se mbajtja e dy ceremonive në FSK, tregon se nuk ka koordinim institucional.

“Mendoj që ka qenë e panevojshme mbajtja e dy ceremonive, nuk ka pasur koordinim mes institucioneve. Dhe në festa të tilla duhet të jetë një kalendar që duhet respektuar nga të gjitha institucionet. Me gjasë raportet e ftohta mes Kurtit, Osmanit dhe Thaçit kanë bërë që të jenë dy ceremoni”, është shprehur ai për Telegrafin.

Demhasaj tha se mos koordinimi është i dëmshëm për funksionim e institucioneve.

Ndryshe, presidenti Thaçi ka munguar edhe në seancën solemne kushtuar 12-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, po ashtu edhe në vizitën tek kompleksi memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, si dhe tek vizita e varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova.

12-vjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është shënuar me aktivitete të shumta në gjithë Kosovë.  Për 12-vjetorin e pavarësisë, Kosovën e uruan shumë shtete mike.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë