Loading…

Analizë për ”Pallatin e Ëndrrave”, pjesa 2

  • 10/05/2020 | 20:43

Analizë për ”Pallatin e Ëndrrave”, pjesa 2

Në shkrimin paraprak, në kuadër të serisë së analizave e përshtypjeve javore për librin, shkruar për Gazetën Metro, kemi diskutuar shkurtimisht për Projektin Ferr, Analizën e personazheve dhe Magjepsjen e Pallatit, në raport me romanin “Pallati i Ëndrrave” të Kadaresë. Në këtë vazhdesë, do të diskutojmë për çështje tjera në raport me këtë vepër. 

Konteksti dhe origjinaliteti

“Pallati i Ëndrrave” është “një kryevepër në fushën e letërsisë së ideve” (HAMITI:2013) për dy arsye themel: e para, është vepër që shënjon fillimin e distopisë në letërsinë shqipe dhe; e dyta, është vepër që e çon më tutje letërsinë distopike edhe në kontekst më të gjerë (jashtëshqiptar). Tradita e distopisë, për aq sa njihet, fillon me romanin në formë ditari Ne të Jevgenij Zamjatinit, zhvillohet me romanet 1984 dhe Ferma e Kafshëve të George Orwell dhe “Më e mira e botëve” e “Ishulli” të Aldous Huxley. Kësaj tradite, tashmë të konsoliduar të shekullit që provoi tmerre politike parase të ndërtonte ferret letrare, i është vënë pas Ismail Kadareja nga sistemi totalitar shqiptar. Orwelli dhe Huxley kanë avantazhin e madh të mos kenë pasur nevojë të ruhen nga kritika zyrtare, mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe dënimit potencial, rrezik të cilin e ka pasur mbi supe Ismail Kadareja. Kjo e bën romanin e tij edhe meritor politikisht, përveçse letrarisht. Për dallim prej “Më e mira e botëve”, e sidomos prej “1984”, Kadareja nuk bën një distopi robotike, me survejim teknologjik e orare të caktuara për gjithçka, ashtuqë të arrihet robotizimi i njeriut. Ai bën një distopi, për të përdorur titullin e Niçes, “njerëzore tepër njerëzore”. E gjithë ngrehina, siç e sugjeron edhe titulli, mbledh, seleksionon, interpreton ëndrrat me qëllim që t’i gjej fillet e komploteve të mundshme. Në këtë kuptim, ky roman është origjinal letrarisht, e meritor politikisht gjithashtu sepse ai “shfaqet me statusin e të rebeluarit të metodës , kërkon jo vetëm të përmbysë një metodë (letrare), por edhe të përmbysë një ide (shoqërore).” (HAMITI:2013).
Utopia definohet në fjalorin e Ëebsterit si “një vend imagjinar me kushte jetese, e sidomos sa i përket organizimit shoqëror dhe ligjeve, perfekt”. Si i tillë është trajtuar edhe në librin e Sir Thomas Moore “Utopia” në 1516.
Të kundërtën e utopisë e quajmë distopi. Letërsia distopike zakonisht na portreton vende imagjinare në të cilat ligjet dhe organizimi shoqëror është perfekt në dukje, por në përmbajtje reflekton shtypjen dhe skllavërimin e individëve në emër të së përbashkëtës. Ky model i letërsisë është përdorur dhe vazhdon të përdoret, përveçse si projeksion letrar, edhe si projeksion ideologjik për të vënë përpara një “talljeje tepër serioze” individët që, qoftë nga ideali, qoftë nga padija, bien në kthetrat e “izmave” që projektojnë “botën e re” ideologjike. Një roman të tillë, të tehuajsimit të individit e dhunimit sistematik të pushtetit, e “inauguron”[1] autori rus Jevgenij Zamyatin me romanin e tij të njohur “Ne”. Romani është struktuar në formë ditari në të cilin protagonisti rrëfehet nga dita në ditë për ndryshimet e vendit të vet e, fare në fund, hetojmë të jetë tëhuajsuar krejtësisht edhe vetë ai.
Ky roman, ndonëse më tipiku i romanit distopik, nuk e arriti famën as ndikimin e romanit “1984” dhe “Ferma e Kafshëve” të George Orwell, apo “Ishulli” dhe “Më e mira e botëve” të Aldous Huxley. Në këto raste kemi të bëjmë me distopi thellësisht robotike, republika që si mjete përgjimi politik përdorin tekonologjinë dhe që synojnë njejtësimin e qytetarëve të vet duke përcaktuar deri edhe detajet më intime të tyre apo duke e reduktuar fjalorin e tyre aq shumë sa ata të jenë në gjendje të shprehin vetëm mendimet më themelore dhe të mos jenë në gjendje, as të mendojnë as të shprehen, për ide më komplekse se kaq.
Në këtë vështrim historik, duke mos pasur pararendës në letërsinë shqipe, romani “Pallati i Ëndrrave” inkuadrohet vetëm në raport me vepra të mëdha të letërsisë botërore si këto. Një vështrim krahasimtar do të mund të identifikonte, për dobinë e komunitetit të shkencave filologjike, ngjashmëritë dhe dallimet ndërmjet këtyre veprave.
Ky nuk është, megjithatë, një studim krahasimtar (Comparative Literature). Si i tillë, do të mjaftohet me shpjegimin kalimthi të kontekstit letrar e social (ose edhe më mirë, “kontekstit social të letërsisë”), në të cilin erdhi romani “Pallati i Ëndrrave” i Ismail Kadaresë, ashtuqë lexuesi ta ketë më të lehtë të gjykojë se cila ka qenë nevoja e letërsisë, sidomos asaj shqipe, për një roman të tillë.
“Pallati i Ëndrrave” nuk është distopi robotike, nuk përdor teknologjinë si mjet përgjimi, nuk redukton gjuhën e personazheve dhe as nuk cakton orare për aktivitetet e tyre intime. Si i tillë, ai është një distopi krejtësisht jotipike.

Intratekst

Por, megjithë krejt ato që u thanë më sipër, Kadareja nuk ka qenë fare disident (në kuptimin e autoritetit publik, në këtë rast shkrimtarit, që çohet publikisht kundër diktaturës). “Pallati i Ëndrrave”, që është vepra e tij më e guximshme, është e vetmja që i kundërvihet goxha më qartë utopisë letrare të realizmit socialist. Veprat e tjera të tij, si “Dimri i Vetmisë së Madhe”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lëkura e daulles” e të tjera, ose bëjnë shmangie të vogla stilistike kundrejt realizmit socialist, ose si në rastin e “Lëkurës së daulles”, janë shumë afër këtij modeli letrar.
Duke iu shmangur analizës politike, që nuk është fare në interes të këtij teksti analitik, mund të themi thjesht se arsyeja pse sot nuk i çmojmë aq shumë veprat e shkruara sipas, ose afër, realizmit socialist, është se ai ishte model skematik që, në të shumtën e rasteve nuk linte shumë vend për autorët që të dëshmoheshin si individualitete.

Struktura

Vepra ka një strukturë e cila është e ndarë në shtatë pjesë apo, për të përcjellë një shenjë autoriale të teksteve të Kadaresë, shtatë kreje.
1. Mëngjesi,
2. Seleksionimi,
3. Interpretimi,
4. Dita e pushimit,
5. Arkivi,
6. Darka,
7. Afrimi i pranverës.

Strukturalisht vepra sugjeron një lexim hetues të peripecive të individit që prej hyrjes në Pallat, deri te sheshimi i të gjitha dallimeve të mundshme me Pallatin (që quhet edhe Tabir Saraj) dhe njejtësimin e tij. Nëse shohim edhe ndërrimin e titullit (nga ‘’Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” te “Pallati i Ëndrrave”), spikasim triumfin përfundimtar të institucionit mbi individin.

Pra edhe me sinjale formale si kapitujt, titulli e të tjerë, kjo vepër na jep një tablo tjetër nga ajo që jepte realizmi socialist. Personazhet nuk janë pozitive a negative, ngjarja nuk është aspak e thjeshtë e e qartë dhe fundi, mbi të gjitha, nuk është fare i lumtur. Kjo konsolidon meritat e autorit në fiksionin shqiptar e më gjerë.

[1] Termi duhet marrë me rezervë, pasi presupozon “origjinalitet” apo “shpikje”, terma fort problematikë në ligjësitë e letërsisë. Ai duhet kuptuar, në këtë rast, më shumë si rasti i parë i asaj që sot ka ndërtuar kritiret më klasike teorike për “romanin distopik”.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë