Loading…

Analizë për ”Pallatin e Ëndrrave”, pjesa e fundit

  • 17/05/2020 | 21:40

Analizë për ”Pallatin e Ëndrrave”, pjesa e fundit

Në shkrimin e fundit, pjesën e dytë të analizës, jemi përpjekur të specifikojmë çështje që lidhen me debatet për intertekstin, intratekstin, origjinalitetin dhe strukturën e veprës së Kadaresë ”Pallati i Ëndrrave”. Në këtë vazhdim, të fundit për këtë roman, do të flasim për disa çështje të mbetura, filluar nga analiza e kompozicionit e tutje.

Analiza e kompozicionit

Fjala kompozicion vjen nga latinishtja componere që domethënë bashkim. Nga kjo vijmë në përfundimin se kompozicioni përbën mënyrën sesi janë bashkuar elementet e veprës letrare, për të ndërtuar atë që si përfundim e përfaqëson veprën.
Megjithëse hasen debate edhe në lidhje me atë se çfarë përfaqëson sot kompozicioni i një vepre letrare, ai trajtohet kryesisht si përbajtja (në kuptimin e ngjarjes) e veprës. “Pallati i Ëndrrave” nis e mbaron me një turbullirë: “mëngjesi ishte i lagët dhe me sqotë” ështe fjalia e parë ndërsa “Atëherë e kuptoi se i kishte sytë me lot” është e fundit.
Mark-Alemi vjen nga një familje e lartë. Për të përshkruar rëndësinë e kësaj familjeje, Kadareja shkruan se ajo, përgjatë historisë së saj, aq sa kishte pasur burra në pushtet, poaq i kishte pasur në varr. Pra, të privilegjuar e të dënuar.
Se privilegji është, sidomos në diktatura, edhe dënim, na e vë qartë para syve fati i Mark-Alemit. Që në fillim atij i thuhet “ti pëlqehesh prej nesh”, ngritet në detyrë pa e ditur pse, i thuhet se është bërë një përjashtim me të pasi asnjëherë të rinjtë nuk e nisin punën direkt nga Seleksionimi dhe në fund, në një gabim që nuk dihet pse është gabim, mbi familjen e Qyprillinjve shfryhet pakursim mllefi i Sulltanit.
Mark-Alemi, me një letër rekomandimi në xhep, niset drejt Tabir Sarajt për të kërkuar punë. Dhe mu aty, pra në fillesën e “aventurës” së tij në Pallat, Mark-Alemi tronditet për herë të parë.

“Jo hyrja e ndikimeve të jashtme, por , përkundrazi, mbyllja e tyre, jo depërtimi, por veçimi, jo rekomandimi, por mosrekomandimi është një nga parimet bazë të Tabir Sarajit.
Megjithatë, ti sot pranohesh në punë në këtë pallat.” (KADARE:1999).

Këtu Mark-Alemi ndeshet me mbylljen hermetike të Pallatit dhe me mentalitetin e një institucioni që nuk dëshiron të ketë të bëjë fare me botën e jashtme. Dhe çudia e dytë: pse, në një institucion të tillë, ai ‘’megjithatë, sot pranohet në punë’’?

Kryeëndrra shqiptare

Një ditë të rëndomtë pune në seleksionim, Mark-Alemit i bie në dorë një ëndërr, në dukje fare e thjeshtë. Përmbajtja e saj, do të jepet këtu si tekst i plotë, pasi është e një rëndësie të dorës së parë për analizën.

Një shesh i braktisur pranë këmbës së një ure; një farë djerrine nga ato ku hedhin mbeturinat. Midis hedhurinave, pluhurit, copëve të thyera prej qeramike, një vegël e vjetër muzikore, e paparë ndonjëherë, që binte vetëvetiu, dhe një dem i egërsuar, siç duket, prej tingullit të asaj vegle, shkrofëtinte te këmba e urës.

Kjo ishte ëndrra e parë nga një perimshitës kryeqytetas për të cilën Mark-Alemi si seleksionues kishte pasur mjaft dyshime. Përfundimisht, ai kishte vendosur ta çonte tutje te interpretimi, ku më pas si interpretues (i ngritur në  detyrë), do t’i binte prapë të merrej me të. Mark-Alemi përpiqet të interpretojë me mundësitë më të mira që mendon se ka. Ai e kërkon disi lidhjen e simboleve, por nuk ia del ta interpretojë ëndrrën “saktë”.
Pak më vonë, shtëpia e Mark-Alemit bastiset dhe Kurti, ungji i tij bashkë me rapsodët e ftuar në shtëpi, arrestohen. Mark-Alemi ndien faj.

Arsye

Siç është thënë edhe më lartë, Sulltani vetë thuhej të mos i donte Qyprillinjtë sepse ishin familja e vetme për nder të së cilës këndohej një ep. Kjo, në vend se ta lumturonte, nuk ishte aspak e mjaftueshme për Kurt Qyprilliun i cili vriste mendjen se pse vetëm boshnjakët këndojnë për Qyprillinjte ndërkaq shqiptarët jo. Nën këtë shtysë, ai  fton disa rapsodë shqiptarë në shtëpinë e Qyprillinjve. Shtëpia bastiset ditën që ata vijnë dhe Kurt Qyprilliu, së bashku me rapsodët, merret.
Arsyetimi i dhënë ishte ky: sado e parëndësishme të dukej ëndrra e perimshitësit të kryqytetit, ajo ishte shpallur kryeëndrra dhe prej atij momenti, gjithçka ishte parë ndryshe.
Vegla muzikore e ëndrrës ishte interpretuar si simbolikë për rapsodët, ura ishte përqasur me Qyprillinjtë ngaqë vetë emri Qyprilli kishte domethënien e urës dhe, në fund, demi dukej si forca që do ta godiste nga çasti në cast shtetin.
Pra, sipas këtij shpjegimi, Qyprillinjtë donin të bënin grushtet kundër sulltanit.

Alibi

Në vazhdim të veprës, Kadareja na jep edhe një opsion tjetër: ëndrra në fjalë mund të mos jetë parë fare, por është krijuar për t’u përdorur si justifikim për arrestimet që pasonin. Sulltani nuk i kishte në qejf Qyprillinjtë përshkak se kulti i tyre po ngritej shumë dhe ai nuk mundte, si çdo tiran, të duronte kulte paralele.
Por, së pari, edhe nëse është parë ëndrra:
Interpretimi i ëndrrave është një nismë jashtëzakonisht e papërcaktueshme. Është e vështirë të përcaktohet një interpretim si i drejtë apo i gabuar, prandaj mbi çka do të bazohet vendimi për të dënuar ose jo dikë? Si në çdo diktaturë: mbi preferencën e liderit.
Pallati i Ëndrrave, së këndejmi, mund të jetë thjesht një ngrehinë ndihmuese që Sulltani të vendosë kë ta dënojë e kë jo, por kjo fare pak ose aspak bazohet në performancën e tyre.
Nëse s’është parë ëndrra:
Shpikja e një ëndrre për ta marrë si justifikim për dënim të dikujt është një mekanizëm mjaft i sofistikuar i diktaturës. Këtu edhe më fort forcohet ideja se sulltani po e dënonte familjen Qyprilliu për arsye tjera, dhe ëndrra ishte thjesht një alibi.

Vështrim shtesë

Në fillim të romanit, kur në familje po zhvillohet debati se ku duhet të punësohet Mark-Alemi, spikat edhe figura e nënës së tij. Në fillim qartazi insistohet që ai të punësohet kudo tjetër përveçse në “Pallatin e Ëndrrave” por, në një vështrim më të thellë, del se prapë, ai mbetet vendi më i rrezikshëm. Kjo gjë tregon edhe për sa e rrezikshme ishte diktatura.

Përfundim

“Pallati i Ëndrrave” është një roman që i është dashur letërsisë shqipe, për të nxjerrë në dritë zhanrin e distopisë. Zhanër ky i panjohur deri atëherrë dhe që s’jepte shenja që do të njihej sepse Shqipëria ishte në diktaturë. Ndonëse autori bëri një fshehje, duke e mënjanuar vëmendjen nga libri ngaqë e botoi si tregim bashkë me dy tregime tjera dhe “Nëpunësin” e futi në mes, libri u kap, u gjykua dhe u ndalua.
Pas rënies së diktaturës, libri u botua në variantin e dytë “Pallati i Ëndrrave”, duke gëzuar një sukses të konsiderueshëm edhe ndërkombëtar, e duke u përkthyër në 15 gjuhë.
Kjo i bën edhe më të qarta meritat letrare të tekstit e të autorit që kemi marrë në shqyrtim.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë