Ikona e futbollit italian, Andrea Pirlo është shkarkuar nga pozita e tij si trajner te klubi turk, Fatih Karagumruk.
Siç u njoftua nga Fatih Karagumruk, Pirlo është shkarkuar nga klubi përpara tre ndeshjeve të fundit të sezonit në Super Ligë, duke i lejuar ata të fillojnë të planifikojnë punën për sezonin e ardhshëm.
“Përderisa kemi vendosur të mos vazhdojmë më me Andrea Pirlon dhe stafin e tij për sezonin e ardhshëm, do t’i japim leje që të largohen shpejt duke shpresuar që të planifikojnë diçka për të ardhmen e tyre. Gjithashtu, do ta përdorim kohën e mbetur në mënyrën më efektive të mundshme si fillim për të fituar të gjitha ndeshjet e mbetura e më pas për të menduar për të ardhmen. Jemi shumë të lumtur për 1 vit që kishim Pirlon dhe e falënderojmë për kontributin duke i uruar më të mirat në të ardhmen e tij”, shkruan klubi turk.
Trajneri 44-vjeçar mori drejtimin e klubit turk në qershor të vitit të kaluar, pak më shumë se 12 muaj pasi koha e tij me Juventusin mori fund të papritur.
Fatih Karagumruk aktualisht ndodhet në vendin e 9- të në tabelën e Super Ligës, 10 pikë larg zonës së rënies dhe 30 pikë prapa vendeve që dërgojnë në garat evropiane.