Loading…

Anëtarësimi në INTERPOL, sfida tjetër e Kosovës

  • 27/06/2019 | 19:03

Anëtarësimi në INTERPOL, sfida tjetër e Kosovës

Kosova do të aplikojë edhe këtë vit për anëtarësim në INTERPOL, gjë që përbën një sfidë të re, shkruan Gazeta Metro.


Komiteti Ekzekutiv i Organizatës Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL, tashmë ka vendosur në favor të dërgimit të dosjes së Policisë së Kosovës për votim në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, e cila sivjet do të mbahet në Kili, kanë konfirmuar zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh edhe ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka theksuar që shumica e përfaqësuesve të 10 shteteve, të cilat, gjatë këtij viti e përbëjnë Komitetin Ekzekutiv të INTERPOLIT, “argumentuan në favor të aplikacionit të Policisë së Kosovës për të proceduar më tutje në Asamblenë e Përgjithshme”.

“Urojmë që edhe Serbia t’i thërrasë zërit të arsyes dhe të mos veprojë me obstruksionet e saj kundër paqes dhe sigurisë”, ka shkruar Pacolli në Facebook, duke shtuar se “do të ishte primitive dhe jashtë çdo logjike, pengimi dhe lobimi kundër anëtarësimit të Policisë së Kosovës” në INTERPOL, shkruan REL.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk kishte arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë,shprehet mjaft skeptik lidhur me suksesin e mundshëm të Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL gjatë këtij viti.

Sipas tij, dështimi i herës së kaluar i Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, ka qenë për arsye të defekteve në mënyrën se si pala e Kosovës e ka tentuar anëtarësimin, por edhe për shkak të fushatës tejet agresive të Serbisë kundër këtij anëtarësimi. Siç thotë Muhaxhiri, as kësaj radhe nuk ka ndryshime të mëdha në këto raporte.

“Për fat të keq, as kësaj radhe nuk kemi ndonjë ndryshim substancial, as në qasjen e Kosovës, mirëpo as në qasjen e Serbisë. Pra, derisa mos të ketë ndryshime shumë të mëdha nga pala e Kosovës, për sa i përket seriozitetit të përgatitjes së aplikimit, por, po ashtu edhe nga pala e Serbisë, që të mos investojë aq shumë fuqi politike dhe financiare në pengimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në INTERPOL, unë nuk besoj që mund të ketë ndonjë ndryshim të rezultatit në raport me herën e kaluar, e ai është rezultati negativ”, thekson Muhaxhiri.

Anton Berisha, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Kosovës, më herët i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi, është i vetëdijshëm për marrëveshjen e arritur në Bruksel që Kosova të mos pengohet në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë