Loading…

Anëtarësimi në NATO dhe në BE – Strehim nga agresioni i mundshëm rus

  • Nga

  • MUHAMET HAMITI

  • 06/03/2022 | 18:24

Anëtarësimi në NATO dhe në BE – Strehim nga agresioni i mundshëm rus

Vendet e Evropës po kërkojnë strehim nga agresioni i mundshëm rus me kërkesa për anëtarësim në NATO dhe në BE.


Shkruan: Muhamet Hamiti

Ukraina kërkoi këto ditë të hyjë me urgjencë – me procedurë të shpejtuar që aktualisht nuk ekziston – në BE. Edhe Moldavia dhe Gjeorgjia ndërmorën këtë hap.

Në Suedi dhe në Finlandë, deri tani vende që donin të ruanin neutralitetin, është shtuar përkrahja popullore për anëtarësim në NATO. Po të duan, këto të dyja anëtarësohen shpejt në aleancën politiko-ushtarake.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kërkuar të enjten me rezolutë që Qeveria e Kosovës që “t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”.

Në kontekst të zhvillimeve aktuale, besoj se kjo kërkesë e Kosovës mund të gjejë mirëkuptim te vendet mike e përkrahëse të Kosovës në Aleancën Veriatlantike. Jo që mund të bëhet shpejt, sepse 4 shtete anëtare të NATO-s dhe 5 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.

Në një shkrim autorial – opinion – për Ukrainën dhe reagimin e botës demokratike në kundërshtim të agresionit rus, kryeministri britanik dhe lideri i Partisë Konservatore, Boris Johnson, shpalosi sot në gazetën “The New York Times”, një plan 6-pikësh që thotë se duhet të nisë së realizuari prej sot.

Pika e gjashtë, e fundit, e këtij plani parasheh:

“Së gjashti, duhet të veprojmë tani për ta forcuar sigurinë euro-atlantike. Kjo përfshin jo vetëm përforcim të krahut lindor të NATO-s por edhe mbështetje për shtetet evropiane që nuk janë anëtare të NATO-s të cilat janë në rrezik potencial nga agresioni rus, si Moldavia, Gjeorgjia dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa ata që marrin pjesë apo e mundësojnë agresionin rus, si Bellorusia, do t’u nënshtohen sanksioneve në shkallën më të madhe.”

Në origjinalin anglisht, pika e gjashtë e planit:

Sixth, we must act now to strengthen Euro-Atlantic security. This includes not only bolstering NATO’s eastern flank but also supporting non-NATO European countries that are potentially at risk of Russian aggression, such as Moldova, Georgia and the nations of the western Balkans. And those that participate or enable Russian aggression, such as Belarus, will be subject to maximum sanctions.

Shkrimi i plotë i kryeministrit Boris Johnson këtu:

https://www.gov.uk/…/pm-article-on-ukraine-6-march-2022

Në ndërkohë, po sot, kryeredaktorja e gazetës së njohur franceze “Le Monde”, Sylvie Kauffman, i referohet një zyrtari të  presidencës franceze kur thotë se Franca tash është e pajtimit që duhet të gjendet një rrugë “për të ‘ankoruar’ në Evropë shtetet që janë më të ekspozuara ndaj kërcënimit rus. Kjo do të thotë Moldavia, Gjeorgjia dhe po ashtu Ballkani Perëndimor, ku po rritet ndikimi i Moskës”, siç shprehet znj. Kauffman në një shkrim botuar te gazeta “The Financial Times” të dielën (sot).

(Autori është profesor universitar dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)).

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë