Loading…

Anton Çetta – personalitet me të cilin identifikohet një epokë

  • 26/11/2020 | 15:56

Anton Çetta – personalitet me të cilin identifikohet një epokë

Në 100 vjetorin e lindjes së Anton Çettës, dhe në 25 vjetorin e vdekjes së tij, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, në organizim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës, është promovuar botimi i kompletit të veprave të veprimtarit, shkrimtarit, mbledhësit të folklorit shqiptar, profesor Anton Çettës.


Muaji nëntor me vendim të qeverisë është shpallur muaji i Anton Çettës me propozim të ministres Vlora Dumoshi e cila ishte në këtë aktivitet bashkë me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, drejtorin e Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi, vajzat e Anton Çettës, Donika dhe Agata, dhe shumë personalitete tjera. Aktiviteti në fjalë u shënua në kuadër të këtij muaji.

Kryeministri Avdullah Hoti, duke vlerësuar lartë kontributin e Çettës, tha se ai së bashku me ish-presidentin Ibrahim Rugova kanë bërë histori moderne.

”Përgëzojmë punën që kanë bërë këta hulumtues për personalitetin me emrin e të cilin identifikohen epokat. E ka ndarë historinë para dhe pas ngjarjes me të cilën Çetta identifikohet, pra me pajtimin e gjaqeve. Ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërrimin e kulturës. Ai dhe Rugova kanë bërë histori moderne”, tha Hoti.

Ndërsa Ministrja e Rinisë Kulturës e Sportit Vlora Dumoshi, tha se ky aktivitet po shënohet në kuadër të muajit të Anton Çettës, të shpallur nga kryeministri Hoti. Duke e vlerësuar profesorin Çetta, si një nga studiuesit më serioz të folklorit shqiptar ka themeluar edhe çmimin Anton Çeta.

“Viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së profesorit Anton Çetta. Edhe sot së bashku jemi në aktivitetin e radhës të muajit të Anton Çettës të shpallur nga kryeministri Hoti. Sot promovojmë një pjesë të konsiderueshëm të botimeve të profesorit”, tha ministrja e cila edhe sqaroi se MKRS-ja ka publikuar thirrjen publike për të konkurruar për çmimin Anton Çetta, i cili është themeluar në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore.

Ministrja Dumoshi falënderoi të gjithë ata që kanë bërë të mundur botimin e kompletit të veprave të profesor Çettës.

Hysen Matoshi drejtor i Institutit Albanogjik, tha se kompleti i veprave të Çettës përmban 13 vëllime e të cilat janë të njohura për lexuesin.

Donika Çetta, vajza e profesor Antonit tha se ky përvjetor i përkujtimit për babanë u erdhi më ndryshe dhe për këtë shprehu mirënjohjen në emër të familjes Çetta për të gjithë ata që mundësuan botimin dhe promovimin e veprave të tij./ GazetaMetro

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë