Ekspozita që do t’i kushtohej karrierës katërdekadëshe të disenjatorit britanik John Galliano në kuadër të “Met Gala 2027” nuk do të zhvillohet.
Vendimi erdhi pas javësh kritikash lidhur me të kaluarën e stilistit dhe deklaratat antisemitike e raciste për të cilat ai u përball me pasoja profesionale dhe ligjore. Galliano konfirmoi tërheqjen nga projekti, duke thënë se pas diskutimeve me palët e përfshira ka arritur në përfundimin se ekspozita nuk duhet të mbahet tani.
“Pas shumë reflektimesh dhe diskutimesh me të gjithë të përfshirët, kam vendosur, me shumë trishtim, se është më mirë që ekspozita të mos zhvillohet në këtë moment”, ka thënë stilisti.
Edhe Muzeu Metropolitan i Artit në New York konfirmoi se ekspozita nuk do të realizohet sipas planit fillestar. Galliano, i cili njihet për krijimet e tij teatrale dhe ekstravagante, ka shprehur më herët keqardhje për deklaratat e së kaluarës dhe ka pranuar përgjegjësinë për ndikimin që ato kanë pasur.
“Unë vazhdoj të mbaj përgjegjësi të plotë për dhimbjen që shkaktuan fjalët e mia në të kaluarën, sidomos për lëndimin që u kam shkaktuar komuniteteve hebraike dhe aziatike dhe më vjen thellësisht keq”, u shpreh ai.