Gjykata e Apelit, ka refuzuar si të pabazuar, ankesën e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Gjilan ndaj kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, shkruan Gazeta Metro.
Gjykata Themelore në Gjilan, me anë të këtij aktvendimi, e ka hedhur aktakuzën e Prokurorisë Speciale, të datës 30.08.2016, të paraqitur ndaj të pandehurit L.H. për shkak të veprës penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe e ka pushuar procedurën penale ndaj tij.
Kolegji penal i Gjykatës së Apelit, vlerëson se gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë kur e ka hudhur poshtë aktakuzën e më hershme. Provat e paraqitura në aktakuzë, sipas tyre, në asnjë rrethanë, nuk vërtetojnë përtej dyshimit të bazuar, se i pandehuri duke e keqpërdorur detyrën zyrtare, ka ndërmarrë veprime konkrete për të përfituar për vete ose për të tjerët, apo i ka shkaktuar me qëllim dëm dikujt./gazetametro.net