Apple ka nisur testimin e platformës së saj të inteligjencës artificiale, Apple Intelligence, në Kinë, gati dy vjet pas prezantimit të saj në SHBA.
Për shkak të kufizimeve ligjore në tregun kinez, kompania amerikane do të bashkëpunojë me Alibaba-n dhe do të përdorë modelin e saj të inteligjencës artificiale, Qwen.
Faza e parë e testimit është e dedikuar për zhvilluesit, ndërsa përdoruesit e tjerë pritet ta kenë në dispozicion në dhjetor. Versioni fillestar përfshin 18 funksione, si përkthimin në kohë reale të telefonatave, përmbledhjen dhe korrigjimin e mesazheve.
Megjithatë, përditësimi i ri i asistentit zanor Siri nuk është përfshirë në këtë version.
Bashkëpunimi me partnerë vendas është kusht për funksionimin e shërbimeve të tilla në Kinë, ku kompanitë duhet t’u përmbahen rregullave të rrepta për përpunimin dhe ruajtjen e të dhënave.
Pavarësisht konkurrencës së fortë nga kompanitë vendore, Apple ka potencial të madh në këtë treg, pasi mbi 110 milionë iPhone në Kinë janë të pajtueshëm me Apple Intelligence.