Arabia Saudite ka bërë një zbulim të madh në rajonin e Medinës rreth 110 milionë tonë xehe që përmban uranium dhe minerale të rralla, transmeton Gazeta Metro.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, i cili tha se zbulimi është ndër më të rëndësishmit në botë për këtë lloj mineralesh.
Sipas tij, në zonën e projektit “Jabal Sayid” janë gjetur përqendrime të larta të mineraleve të rralla, bashkë me sasi premtuese uraniumi.
“Ky zbulim e vendos projektin ndër vendet më të rëndësishme të burimeve të mineraleve të rralla që po zhvillohen aktualisht në botë”, tha Abdulaziz.
Zbulimi vjen në një kohë kur Arabia Saudite po investon shumë në energji dhe në sektorin e minierave, me synimin që të mos varet vetëm nga nafta.
Por ka edhe një pjesë tjetër interesante. Vetëm pak kohë më parë, Arabia Saudite dhe SHBA-ja nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në programin bërthamor civil të mbretërisë.
Marrëveshja mund t’u hapë rrugë kompanive amerikane që të përfshihen në projekte bërthamore në Arabinë Saudite, përfshirë edhe mundësinë e ndërtimit të një impianti për pasurimin e uraniumit.
Pra, zbulimi i ri i uraniumit vjen pikërisht në kohën kur Arabia Saudite po tenton të zhvillojë më shumë sektorin e saj bërthamor dhe atë minerar.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka lidhur edhe partneritete me kompani amerikane për përpunimin e mineraleve të rralla dhe zhvillimin e kapaciteteve për uranium.
Me pak fjalë, sauditët kanë gjetur një pasuri të madhe nën tokë dhe tash po tentojnë ta shfrytëzojnë atë në kuadër të planeve të tyre për energji dhe ekonomi./gazetametro.net
🔴 BREAKING: Saudi Arabia has discovered 110 million tons of raw materials containing uranium concentrations in Medina, Saudi Energy Minister Prince Abdulaziz bin Salman says. pic.twitter.com/MVDRQV3LS4
— Al Arabiya English (@AlArabiya_Eng) September 14, 2026