Loading…

Arbnor Morina konfirmon ofertën nga FFK për përzgjedhës te Kosova U17

  • 18/01/2023 | 14:43

Arbnor Morina konfirmon ofertën nga FFK për përzgjedhës te Kosova U17

Trajneri i mirënjohur kosovar, Arbnor Morina në një prononcim për Gazeta Metro e ka konfirmuar se ka ofertë nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) për të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës U17.


Para pak çastesh televizioni ‘Kanal10’ raportoi nga burimet e saj brenda FFK’së se emri më i përfolur nga drejtuesit këtij institucioni për t’u emëruar si përzgjedhës i grupmoshave të reja të Kosovës është Arbnor Morina.

Ish-trajneri i disa skuadrave të Superligës së Kosovës për Gazeta Metro tha se ka marrë ofertë nga FFK dhe ditëve në vijim pritet të kuptohet gjithçka.

Ai bëri të ditur se ka pasur ofertë edhe nga Malisheva dhe disa klube të tjera.

”Mbrëmë kam pasur ofertë edhe nga Malisheva dhe prej disa klubeve të tjera që nuk do t’i përmend për hir të korrektësisë. Ofertën e kam nga FFK dhe pres të zyrtarizohet,” tha ai.

Në anën tjetër, Komiteti Ekzekutiv i FFK’së ditë më parë mori vendim për shkarkimin e ish-përzgjedhësit Arsim Abazi për shkak të mos sukseseve.

Vlen të theksohet se Kosova U17 gjatë vitit 2022 nuk kishte arritur asnjë fitore në gjashtë ballafaqime me një bilanc negativ prej gjashtë ndeshjeve me vetëm një barazim dhe pesë humbje.

Kujtojmë që së fundmi Morina ishte shef i shtabit teknik te Ferizaj derisa kishte thënë dorëheqje pas barazimit 1-1 kundër Gjilanit në fillim të sezonit.

Atëkohë në komunikatën e skuadrës thuhej se Morina kishte marrë vendim të largohej nga ekipi pasi që edhe pse kishin arritur të tregojnë lojë të mirë nuk arrinin të mbanin rezultatin deri në fund të takimit.

Përveç Ferizajt, 59-vjeçari ka drejtuar gjithashtu skuadra si Arbëria, Flamurtari, Prishtina, Gjilani, Feronikeli, Drita dhe Vushtrria.

Ndërsa, për një periudhë pesëvjeçare (2000-2005) kishte edhe udhëhequr Kombëtaren U21 të Kosovës. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë