Drita vazhdon të mbetet skuadra e vetme nga Kosova që ende është pjesë e garave europiane, përkatësisht Ligës së Europës, shkruan Gazeta Metro.
Kampionia e Kosovës nesër (e enjte) do zhvillojë ndeshjen e vlefshme për raundin e tretë në Ligën e Europës në udhëtim te skuadra nga Maqedonia e Veriut, Sileks.
Në prag të ndeshjes, në konferencën për media janë paraqitur trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, dhe kapiteni i skuadrës, Ardian Limani.
Nuhiu deklaroj: “Do të jetë një ndeshje e vështirë. Sileksi ka bërë ndeshje të mira viteve të fundit, gjithashtu janë në përparsi sepse janë në ritem të ndeshjeve, pasi ka filluar kampionati në Maqdoninë e Veriut për dallim nga ne që ende nuk kemi filluar kampionatin dhe nuk kemi pasur të drejtë të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore. Gjithsesi ne jemi gati për këtë ndeshje, do të bëjmë maksimumin. Futbollistët janë gati dhe besoj shumë në grupin e lojtarëve”.
Kurse, Limani u shpreh: “I kemi bërë të gjitha përgatitjet për këtë ndeshje. E mira e jonë është që jemi në gjendje të mirë fizike sepse nuk jemi ndalur së punuar. Atmosfera është e mirë në grup dhe mezi po e presim këtë ndeshje. Do të bëjmë maksimumin dhe besoj në rezultat pozitiv nga kjo ndeshje”.
Kujtojmë që ndeshja Sileks – Drita zhvillohet nesër në ‘Todor Proeski’ në Shkup me fillim prej orës 20:00. /gazetametro.net