Loading…

Arkitekti nga Londra që ia solli LDK’së Prishtinën pas 8 vitesh: Profili i kryetarit të Prishtinës

  • 15/11/2021 | 08:22

Arkitekti nga Londra që ia solli LDK’së Prishtinën pas 8 vitesh: Profili i kryetarit të Prishtinës

Mbrëmë pas shpalljes së rezultateve preliminare, kandidati i LDK’së për kryetar të Prishtinës Përparim Rama, priu para atij të VV’së Arben Vitia, derisa ky i fundit edhe ia uroj fitoren duke pranuar se Prishtina tanimë ka një kryetar të ri, shkruan Gazeta Metro.


LDK pas 8 vitesh mori fronin në kryeqytet.

Këtë ia solli arkitekti e urbanisti i njohur që vinte nga Londra, e në prezantimin e tij nga kryetari aktual i LDK’së, Lumir Abdixhiku, ishte një prurje krejtësisht e re për kryeqytetasit.

Por kush është kryetari i ri i Prishtinës?

Metro iu sjell një profil të shkurtër të Përparim Ramës:

Përparim Rama (u lind më 20 janar 1976) është arkitekt dhe urbanist i njohur shqiptar – i vlerësuar me çmime ndërkombëtare.Puna e tij është botuar në disa revista ndërkombëtare të dizajnit, përfshirë “London Building Design Magazine” Veprimtaria arkitekturale e Ramës është shtrirë në shumë vende: Prishtinë, Kosovë; Neë York, SHBA; Ujdhesat Turks dhe Caicos; Londër, BM; Udinë, Itali; Kotor, Mal i Zi; Lagos, Nigeri; Bazel, Zvicërr; Pragë, Republika Çeke; Damask, Siri dhe Tiranë, Shqipëri.

Përparim Rama, u lind në Prishtinë, më 20 janar 1976. Babai i tij ishte piktor i njohur shqiptar, i cili, ndër vite ka pasur ekspozita të ndryshme rreth botës duke u vlerësuar për punën e tij dhe shpërblyer me çmime. Në vitin 1992, kur Përparim Rama ishte vetëm 16-të vjeç u shpërngul në Britani të Madhe. Në atë kohë, Kosova u bë pjesë e luftës për autonomi brenda ish-Jugosllavisë. Me përkeqësimin e situatës politike mes Kosovës dhe Serbisë dhe vurjes së sanksioneve të shtetit të atëhershëm Jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës, të gjithë punëtorët shqiptarë u larguan nga postet publike si rezultat edhe prindërit e Përparimit mbetën të pa punë, pasi që të dy ishin mësimdhënës. Djem të rinj rekrutoheshin nga paramilitarët serbë dhe policia, për t’i dërguar në luftë kundër kroatëve, sllovenëve ose boshnjakëve.

Në Britani të Madhe kërkoi azil i cili iu pranua menjëherë shkaku i situatës së rënduar politike. Rama vazhdoi jetën e tij në Britani të Madhe, atje dhe përfundoi studimet. Pjesën e parë të studimeve universitare Bachelor i ka filluar në vitin 1995, në SBU London Bank University për arkitekturë dhe i ka përfunduar në vitin 1998.

Nga viti 2001 deri në vitin 2003 vazhdoi pjesën e dytë të studimeve në Institutin Mbretëror të Arkitektëve Britanik. Pas studimeve bachelor, nga viti 2003 vazhdoi studimet për master DipArch në “University of East London”. Nga CECA (Centre for Evolutionary Computing in Architecture) u shpall Master i dalluar. Gjatë studimeve të tij ka pasur profesorë si Paul Coates, Christian Derix, Robert Thum e Jeffrey Turko.

Rama ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele, ndërkaq më parë ka punuar si këshilltar në Aeroportin e Southampton. Ai ka përvojë si mentor në Shkollën e Arkitekturës në Universitetin Nottingham dhe bashkë-mbikëqyr Doktoraturat në Arkitekturën Gjeneruese dhe dizajnimin SMART të ndërtesave në programin MA dhe PHD në institutin SmartLab Media.

Mbrëmë Rama mori 40,659 vota ose 51,07% të totalit të votave, duke lënë mbrapa kandidatin e LVV-së, Arben Vitia i cili mori 38,958 vota apo 48,93%./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë