Policia e Kosovës ka realizuar një aksion të gjerë në komunën e Vushtrrisë nën dyshimin për armëmbajtje pa leje. Aksioni i cili është udhëhequr nga sektori rajonal i hetimeve të drejtorisë së Policisë në Mitrovicë, ka rezultuar me bastisjen e pesë lokacioneve dhe arrestimin e tre personave.
Siç shpjegon për Gazetën Metro, zyrtari për informim i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, Avni Zahiti, lokacionet e bastisura janë kryesisht shtëpi dhe anekse përcjellëse.
Zahiti ka treguar për gazetametro.net edhe për konfiskimet që janë bërë gjatë këtij aksioni.
“Si rezultat i kësaj janë konfiskuat katër armë dhe 160 fishekë, janë arrestuar 3 persona në cilësi të të dyshuarve tek të cilët janë gjetur armët”, tha Zahiti.
Të arrestuarit tashmë janë në procedurat e intervistave ndërsa aksioni tashmë ka përfunduar./gazetametro.net