Loading…

Arrestimi i Agim Ademit dhe saga e licencimit të FFK’së: Klubet thonë se ‘janë futur në mal’

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 24/03/2023 | 14:59

Arrestimi i Agim Ademit dhe saga e licencimit të FFK’së: Klubet thonë se ‘janë futur në mal’

Saga e licencimit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) nga ana e Komisionit për licencim të federatave sportive në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit duket se do të vazhdojë edhe për një kohë. Një nga arsyet pse FFK’ja nuk është licencuar tash e një kohë të gjatë është kryetari i saj, Agim Ademi, për shkak të problemeve të tij me ligjin. Ai pasi u shpall i pafajshëm javën e kaluar për veprën penale ‘Detyrim në bashkëkryerje’, iu ngritën këtë javë edhe dy të tjera që tani lidhen me punën në FFK ‘Keqpërdorim i besimit’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’, shkruan Gazeta Metro.


Mos licencimin e FFK’së më së shumti po e vuajnë klubet, të cilat nuk po mund të përfitojnë nga Ligji i Sponsorizimit. Ato e shohin si burim kryesor të financimit pasi përfitojnë shuma të larta nga ky ligj.

Më herët, komisioni për licencim gjatë procesit për të licencuar shtëpinë e futbollit kosovar ndër të tjerash i kishte kërkuar Agim Ademit ta pezullojë pozitën e tij, ose pozita e tij të pezullohet nga Komiteti Ekzekutiv (KE) i FFK’së për shkak se ishte në proces gjyqësor dhe binte ndesh me ligjet e Kosovës, statutin e FFK’së dhe me kodin etik të FIFA’s. Të dyja palët kishin heshtur.

Siç po duket edhe tani do të përsëritet historia e njëjtë. Ademi po qëndron në burg shtëpiak, Komiteti Ekzekutiv të paktën deri më tani nuk ka marrë ndonjë veprim.

Drejtori i FC Prishtinës, Artan Osmani, për Gazeta Metro nuk e ka komentuar arrestimin e presidentit Ademi, por thotë se nëse është ai është çështja pse nuk po licencohet FFK’ja atëherë pret që të përmbyllet ky proces sa më shpejt.

”Sa i përket arrestimit nuk kemi koment. Ne me shumë shqetësim kemi çështjen e licencimit të federatës meqë po bëhet muaji i katërt që nuk po mund të përfitojmë nga ligji për sponsorizim. Nëse çështja e kryetarit ka qenë arsyeja e vetme atëherë shpresoj që FFK ta përmbyllë procesin sa më shpejt që është e mundur, pra kompletimin e dokumentacionit në raport me MKRS dhe marrjen e licencës,” ka thënë Osmani të premten.

Më gjatë foli presidenti i Trepçës’89, Abedin Zeka, i cili duket se hallin kryesor e ka me anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.

Sipas tij, ata në momentin që e kanë marrë rekomandimin e MKRS’së për pezullimin e detyrës së Agim Ademit si kryetar janë dashur ta bëjnë një gjë të tillë.

”Arrestimin e askujt nuk e pres mirë e në këtë rast siç është i kryetarit Agim Ademi. Megjithatë, sa i përket licencimit ne si klube jemi të dëmtuara sepse ende nuk i kemi marrë të mirat financiare që na takojnë (të hyrat televizive, pjesa e sponsorizimit për Albi Mall Superliga, mjetet e sponsorizimit që na ka lejuar shteti). Jam falënderues këtu për shtetin sepse i kemi ligjet më të mira në Ballkan.”

”Nuk guxon një njeri të jetë shkaktar, por unë gjithmonë kam thënë se nuk është problemi te Agim Ademi, aty është problemi te anëtarët e Komitetit Ekzekutiv sepse janë organ më i lartë se presidenti. Federata në fillim e kishte marrë rekomandimin që t’ia pezullojë detyrën e kryetarit Agim Ademit dhe të na mundësohej të licencohemi. Kjo është pikërisht se Agim Ademi si president ka mundur të jetë lakmitar dhe mos ta pezullojë detyrën e tij, por Komiteti Ekzekutiv e ka pasur këtë mundësi,” tha Zeka të premten për Gazeta Metro.

Zeka lë të nënkuptohet se ka mbetur i habitur me konferencën e jashtëzakonshme për media të mërkurën që u mbajt nga ana e ushtruesit të detyrës së sekretarit të FFK’së, Taulant Hodaj, drejtorit të kombëtares, Muharrem Sahiti dhe nënkryetarit të FFK’së, Bakir Burri.

Arsyeja e habisë së tij është se si Burri nuk e tha asnjë fjalë, për dallim nga Hodaj i cili ende nuk është sekretar permanent.

”Ku janë anëtarët e KE’së dhe nënkryetarët e federatës në këtë rast sepse ata janë përgjegjësit kryesor për këtë pikë kur kemi ardhur ne. E pashë edhe atë ditë kur doli në konferencë Taulant Hodaj, ai nuk është pjesë e federatës, ai është ushtrues detyre i sekretarit të FFK’së. Nuk e lejonte Bakir Burrin (nënkryetar i FFK’së) të merrte fjalën,” tha Zeka.

Ai ka kërkuar që një nga nënkryetarët aktual të marrin pozitën e kryetarit deri në një zgjidhje tjetër. Ndërsa, në fund përsëri shton se tani është bërë shumë e vështirë për klubet pasi siç thotë ai ”janë futur në një mal” dhe ”nuk po e dinë nga t’ia mbajnë”.

”Një nga nënkryetarët me automatizëm duhet të marrin pozitën e kryetarit, sepse edhe kur kishte vdekur legjenda Fadil Vokrri kishim marrë hapa. Ne si klube tash jemi si të futur në një mal, nuk po dimë se çfarë të bëjmë, çfarë të veprojmë, nuk i kemi marrë mjetet tona, nuk po dimë kujt t’i drejtohemi. Nuk kemi pasur kurrë Komitet Ekzekutiv, i kanë shikuar vetëm interesat e tyre, të marrin mjete, meditje, paga dhe të udhëtojnë nëpër gjithë Europën. Nuk ka ardhur me vite ndokush prej tyre të më vizitojë, qoftë edhe një ndeshja ta shikojë.  Jemi të shqetësuar, kam biseduar edhe me disa klube nuk po dimë as nga t’ia mbajmë,” përfundoi Abedin Zeka për Gazeta Metro.

Në anën tjetër, të enjten në një prononcim për Gazeta Metro rreth zhvillimeve ditëve të fundit në FFK foli ish-zëvendës/sekretari, Arianit Ahmeti.

Ai mendon se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo katrahurë e krijuar do të ishte që klubet të mblidhen dhe ta gjejnë njeriun e duhur i cili përfaqëson unitetin e përgjithshëm, të thirrin Kuvend të jashtëzakonshëm dhe pastaj së bashku t’i plotësojnë rekomandimet e komisionit, ndër to edhe Statutin e miratuar me 27 janar të këtij viti, që në fund FFK’ja të licencohet nga MKRS.

Duhet cekur se, Gazeta Metro ka provuar të kontaktojë edhe me disa nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv por të njëjtin nuk kanë qenë të qasshëm. /gazetametro.net

Arianit Ahmeti paralajmëron klubet: Agim Ademi është pengesë për licencim, mund të bankrotoni

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë