Loading…

Arrestimi i udhëheqësve të UÇK’së: Çka ndodhi për 8 orë në zyret e OVL’së?

  • 25/09/2020 | 22:44

Arrestimi i udhëheqësve të UÇK’së: Çka ndodhi për 8 orë në zyret e OVL’së?

Mëngjesi i sotëm e gjeti Kosovën në një situatë aspak të këndshme dhe madje të rëndë. Aksioni i hetuesëve të Gjykatës Speciale, nuk u prit aspak mirë as nga qytetarët e as nga politikanët e vendit. Policia e EULEX’it bastisi sot zyret e OVL’së së UÇK’së, duke marrë dokumente e kompjuterë, dhe duke arrestuar dy figurat më të rëndësishme të kësaj organizate; kryetarin Hysni Gucatin dhe nënkryetarin Nasim Haradinajn, i cili rezistoi vazhdimisht dhe nuk pranonte t’i vinin prangat policët e EULEX’it, por kërkonte policinë e Kosovës, shkruan Gazeta Metro.


Pas 8 orësh ka përfunduar bastisja e zyrave të OVL e UÇK’së nga EULEX, derisa janë marrë disa kompjuterë, ndërsa njoftohet se kryetari Hysni Gucati është nisur për Hagë, ndërsa Haradinaj u intervistua në Prishtinë.

Pas arrestimit Haradinaj është dërguar në qendrën e EULEX’it në Fushë Kosovës, ku u intervistuar mbi 3 orë. Ai para arrestimit kishte refuzuar që të ndalohet nga hetuesit e Speciales.

“Refuzoj të shkoj me këta të EULEX’it, me ju (Policinë e Kosovës) vi”, kishte thënë Haradinaj.

Në selinë e EULEX’it kanë shkuar edhe pjesëtarët të cilët bastisën zyret e OVL UÇK’së. Po ashtu aty është parë se ka shkuar edhe një autoambulancë.

Ndërsa Gjykata Speciale e Hagës ka konfirmuar arrestimin e kryetarit të OVL UÇK’së, Hysni Gucati.

Përmes një njoftimi, thotë se Gucati është arrestuar sot nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit Dhomat e Specializuara kanë lëshuar fletarrestim, merret në ndalim. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe me legjislacionin e Kosovës. Edhe Policia e Kosovës (PK) dha mbështetje operative për ZPS’në”, në njoftimin e Speciales.

Sipas tyre, informacion i mëtejshëm do të jepet në kohën e duhur.

Në anën tjetër në Kosovë ka pasur shumë reagime nga politikanët kosovarë, ndër ta ka reguar edhe kreu i shtetit Hashim Thaçi, duke thënë se askush nuk po tenton t’i ikë drejtësisë, s’ka nevojë për ekspedita dhe aksione spektakolare, shkruan Gazeta Metro.

Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe gjithë bota pret që Dhomat e Specializuara t’i japin përgjigjen e duhur, profesionale dhe transparente pretendimeve se UÇK-ja ka kryer krime.

“Është e qartë se kërkohet bashkëpunim i ndërsjellë, në perputhje me legjislacionin me të cilin janë themeluar Dhomat e Specializuara. Kjo drejtësi speciale është e obliguar që t’i përmbahet dhe të veprojë në kuadër të Kushtetutës së Kosovës dhe t’i respektojë të drejtat e të gjithëve”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e Presidentit.

Kujtojmë, që Gjykata e Kosovës e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian.

Gjykata është themeluar me vendimin e Kuvendit të Kosovës pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran, Dick Marty, flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000./gazetametro.net

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë