Oferta e zotit Kurti nuk ishte edhe aq e sinqertë sa duket në shikim të parë.
Shkodran Ramadani
Derisa mbështetësit e tij dhe jo pak qytetarë e vlerësojnë këtë letër si gjest fisnik me qëllim të mirë, e vërteta është që Kurti bëri një kalkulim elektoral dhe një taktikë të efikase.
Së pari, duket se letra e tij më shumë sesa për Isa Mustafën ishte letër për publikun. Adresa e tij ishte e qartë: votuesit e papërcaktuar dhe votuesit e LDK-së që kanë dyshime nëse LDK-ja po do ndryshim.
Së dyti, mençur dhe me kujdes iu drejtua direkt “zotit Isa Mustafa, Kryetarit të LDK-së” e jo Vjosa Osmanit, kandidates së LDK-së për Kryeministre.
Qëllimi i tij ishte ta lë në hije kandidaten e LDK-së dhe ta defaktorizojë atë.
Ai me mjeshtëri la të nënkuptohet se vendimet për koalicione merren nga Isa Mustafa, Agim Veliu dhe Lutfi Haziri, kurse Vjosës i mbetet vetëm të ndjek linjat e ideuara nga ta.
Refuzimet e Mustafës dhe Veliut për koalicion vetëm se i kontribuuan objektivave të Kurtit për të lënë Vjosa Osmanin jashtë kombinatorikave të koalicioneve të mundshme.
Së treti, Kurti duke përdorur rrezikun nga një koalicion potencial i “PAN 2.0” tentoi të krijojë një listë ku fokusi bie më shumë mbi kandidatët sesa mbi partitë.
Pika më e fortë e VV-së është Kurti sepse ai është më i madh se VV-ja, ndërkohë që Vjosa nuk është më e madhe se LDK-ja.
Derisa LDK-së i konvenon të shkojnë të vetme në zgjedhje, Kurti synonte që të bëjë koalicion parazgjedhor dhe ta zhvendosë garën në terrenin ku ai është më i fortë e LDK-ja më e dobët.
Së katërti, duke e ditur që LDK-ja do ta refuzonte këtë ofertë të paleverdishme për të, Kurti tentoi që fajin për dështim të bërjes së koalicionit “kundër së keqes” t’ia hedh LDK-së.
Në këtë skenar të Kurtit, LDK-ja shihet si parti që ende nuk dëshiron ta dërgojë PDK-në në opozitë.
E pesta dhe e fundit, deri më tash prej Kurtit nuk është pritur asnjëherë që të fitojë zgjedhjet. Në asnjë palë zgjedhje nuk ka qenë favorit të cilit humbja do t’ia zbehte aurën e liderit.
Këto janë zgjedhjet e para në të cilat humbja do t’i kushtonte shumë.
Sidomos nëse do të mposhtej nga një grua, pasojat elektorale do të ishin jo të vogla kur kihet parasysh mendësia e fortë patriarkale në Kosovë.
Në psikologjinë e patriarkalëve fitorja e zonjës Osmani do të ishte e barabartë me “zhburrnim” të burrave që kandidojnë për të parin e shtetit.
Duke bërë koalicion me LDK-në, ai do të mënjanonte një rival të fortë dhe do të krijonte një koalicion fitues. Do të shmangte humbjen.
Në krejt këtë letërkëmbim humbësja më e madhe ishte Vjosa Osmani që mbeti jashtë lojës. Ajo e gjeti veten mes letrave të hapura që shkëmbeheshin mes Kurtit dhe Mustafës e Veliut.
Ai e forcoi edhe më shumë idenë se vendimi i LDK-së për ta mandatuar Vjosa Osmanin si kandidate për Kryeministre ishte kalkulim i parisë së vjetër të partisë, konkretisht i triumviratit Isa Mustafa – Agim Veliu – Lutfi Haziri, e jo vendim që synon të sjellë freski në politikën kosovare.
Një shkëmbim i tillë i letrave mund tu ketë konvenuar edhe këtij trinomi dhe disa anëtarëve më të vjetër të partisë të cilët e shohin Osmanin si kërcënim për pozicionet e tyre brenda LDK-së.
Kurti finok i vetëdijshëm se një pjesë e strukturave të LDK-së do ta sabotonte Vjosa Osmanin ka nuhatur dobësi në LDK dhe me zgjuarsi ka eksploatuar këto kontradikta duke ia limituar kapacitetet mobilizuese LDK-së.
Kurti kështu goditi Osmanin dhe LDK-në, duke i dhënë nokautin e parë në garën për të parin e vendit. Koalicioni PAN 2.0 nuk u bë dhe kjo do ta zbehë argumentin e Kurtit dhe LDK-ja nuk do të duket edhe aq fajtore.
Megjithatë me këtë gjest dinak Kurti ka peshkuar edhe në mesin e votuesve të LDK-së dhe duke pasur parasysh garën e ngushtë, veprime të tilla mund të jenë vendimtare për epilogun e zgjedhjeve të sivjetshme.
Mbetet të shihet nëse LDK-ja do të këndellet dhe nëse Vjosa Osmani do të fillojë të sillet si kandidate për Kryeministre e jo si kandidate për deputete, qysh është sjellë deri më tash.
Nëse LDK-ja nuk reagon mirë pas kësaj goditjeje, rezultatet e 6 tetorit mund t’ia demoralizojnë strukturat partiake.
Mbi të gjitha, humbja mund të ketë pasoja afatgjate për votuesit e saj të cilët ngadalë do të migrojnë drejt partive tjera, sidomos drejt VV-së, për shkak që do të krijohet përshtypja se figurat e reja po sabotohen nga establishmenti i vjetër në LDK.
(Autori është sociolog dhe komentator i njohur politik. Ky artikull është i shkruar enkas për Metron.)