Loading…

Artistja Arjeta Miftari shkëlqen me hyjneshat në Galerinë e Muzeut Historik në Tiranë

  • 21/02/2019 | 10:06

Artistja Arjeta Miftari shkëlqen me hyjneshat në Galerinë e Muzeut Historik në Tiranë

Një seri veprash, në skulpturë, që emocionojnë këdo që i shikon. Një seri veprash që inspirimin artistik e kanë që nga lashtësia. Arjeta Miftari, një emër tashmë i konsoliduar i artit në Kosovë ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ekspozitën e saj “Rrugëtim”, e cila pasi është prezantuar në Kosovë, Gjermani e Francë, vjen për publikun kryeqytetas si rrugëtim i radhës, por që padyshim nuk do të jetë i fundit.


Cikli i veprave në skulpturë vendosur në qendër të galerisë rrethuar nga drita e qirinjëve për disa momente i ktheu pas në kohë pjesëmarrësit në një ekspozitë që rrëfen për lashtësinë, hyjnoren, rrugëtimin e qenies femër dhe botën artistike të artistes.

Miq të galerisë, drejtues të Muzeut Kombëtar, Zëvendës Ministria e Kulturës së Kosovës, Valbona Shujaku, artistë të ardhur nga Kosova e Shqipëria, ishin në hapje të ekspozitës “Rrugëtim”. Një rrugëtim artistik që ka nisur nga Peja e Kosovës, qyteti i lindjes së artistes, ka vijuar në Gjermani dhe Francë, nuk kishte si të mos të ndalej dhe në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, që Arjeta Miftari e cilëson si mjaft të rëndësishëm për karrierën e saj.

Të vendosura hijshëm mbi një beze të bardhë dhe ndriçuar nga drita e qirinjëve, skulpturat hyjnesha të Miftarit, u shoqëruan në këtë ekspozitë me një kolazh me foto gjatë momenteve të punës së artistes dhe me një video-material që rrëfeu pakëz nga puna e Arjetës, të cilat u ndoqën me mjaft interes nga ana e pjesëmarrësve.

Si një nisje të aktiviteteve për “Javën Kulturore të Kosovës” e cilësoi në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik, Dorian Koçi, hapjen e ekspozitës.

“Arjeta Miftari na ka surprizuar me modernitetin e saj, ndërsa sjellë nëpërmjet artit të saj simbolikën e Kosovës, lashtësinë e trojeve nëpërmjet hyjneshave”, u shpreh në fjalën e tij Koçi.

Është e rëndësishme që projektet për shkëmbimin e kulturave mos të ngelen në letër sipas drejtorit Koçi.

“Është një arritje që artistët të ndihen si në shtëpinë e tyre, pasi është kultura, arti, që kalojnë barrierat dhe ne kemi potenciale si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë”, u shpreh drejtori i galerisë.

Ndërsa, kuratori i kësaj ekspozite, Skënder Boshtrakaj, vlerësoi artin e Arjeta Miftarit, duke i ndarë në tre motivet që gërshetohen në një dhe sjellin ekspozitën, hyjneshat e Arjeta Miftarit.

Statuja të një figure femërore, që është bërë një figurë ikonë skulpturore e artit parahistorik në Kosovë e njohur si Hyjnesha në Fron, kjo figurë e ka inspiruar një seri të veprave të skulptores Arjeta Miftari, si analizë të vetvetes, shoqërisë dhe të njeriut në përgjithësi.

“Simboli i parë është hyjnesha në fron që fillon me antikitetin, që kur filloi fjala kulturë, ndërsa simbolika e dytë është rrugëtimi i fermës, në Kosovë, Shqipëri dhe kudo në botë, ndërsa rrugëtimi i tretë është rrugëtimi i vetë artistes si skulptore, restauratore, etj”, u shpreh kuratori i kësaj ekspozite.

Pjesëmarrësit më pas ndoqën nga afër ekspozitën, e cila do të qëndrojë e hapur disa ditë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë