Loading…

Asistentja në Mjekësi nuk mban ligjërata, por merr pagë të plotë (Dokument)

  • 27/03/2017 | 21:43

Asistentja në Mjekësi nuk mban ligjërata, por merr pagë të plotë (Dokument)

Rozafa Koliqit, një asistente në Fakultetin e Mjekësisë në UP, i kanë mjaftuar 15 minuta kohë për t’ua ligjëruar studentëve të Farmacisë lëndët mësimore për të cilat ajo kishte fituar kontratë njëvjeçare në universitet. Dy orë të tjera të parapara me plan program Koliqi nuk i ka zhvilluar fare.


Kjo ka ndodhur vetëm gjatë marsit të vitit 2016. Por e njëjta mungesa në punën e saj ka pasur edhe në periudha tjera kohore, gjatë vitit të shkuar akademik. E mungesat e saj pretendohet se nuk i kanë vërejtur në Dekanatin e Mjekësisë, pasi ato u zbuluan vetëm pasi doli një raport i Auditimit, që përveç mungesave nxjerr në pah se evidencat e stafit akademik u lanë në duar të stafit të sigurimit, që nuk janë staf i UP’së. Përkundër mungesave, Rozafa Koliqi ka marrë rrogë të plotë në UP, hiç më pak se 698.75 Euro në muaj.

Lista të regjistrimit të studentëve pa asnjë nënshkrim, herë identike me studentë e nënshkrime të njëjta, e në raste hiç fare, ka gjetur Auditori i Universitetit të Prishtinës gjatë përpilimit të një raporti auditues për verifikimin e mbajtjes së mësimit dhe pagesës së pagës për asistenten e Fakultetit të Mjekësisë, Rozafa Koliqi.

Raportin në fjalë, që nxjerr si konkluzion edhe pagesën e pagave të asistentes në kundërshtim me rregulloren për të ardhurat e personelit të Universitetit “Hasan Prishtina”, që e ka siguruar Gazeta Express, e ka pranuar edhe Rektori Marjan Dema, që më pas ka nxjerrë vendim për suspendim nga ligjërimi i lëndëve që ishte e ngarkuar asistentja në fjalë.

“Gjatë testimit të dokumentacionit kemi identifikuar dhe gjetur se raportet e mbajtjes së mësimit janë në përputhshmëri me legjislacionin në fuqi, por kemi gjetur edhe raste kur raportet e mbajtjes së mësimit nuk janë në bazë të plan-programit dhe kontratës së punës për asistenten siç është rasti në muajt: Shkurt 6 orë (lista pa asnjë student); Mars 12 orë (dy lista identike me studentë); Prill 12 orë; Maj 9 orë; Tetor 0 (zero) orë”, thotë raporti i auditimit për periudhën Janar-Nëntor 2016, që konkludon se numri i orëve të mbajtura paraqet pasqyrë jo të drejtë dhe të saktë për zhvillimin e procesit mësimor, dhe do të ndikojë në arritjen e objektivave të njësisë akademike.

“Gjatë testimit të bërë dokumentacionit kemi identifikuar dhe gjetur se pagesa e pagave dhe shtesave për asistenten nuk është bërë në bazë të orëve të mbajtura”, thotë auditori, duke konkluduar se asistentja e degës së Farmacisë, Rozafa Koliqi ka marruar pagë të plotë, në kundërshtim me rregulloren për të ardhurat e personelit të UP’së, përkundër se ka munguar në orët e parapara për ligjërim.

“Gjatë testimit të bërë në bazë të raporteve të dorëzuara për mbajtjen e mësimit për muajt: Shkurt 2016 6 orë (lista pa asnjë student); Mars 12 orë (dy lista identike me studentë); Prill 12 orë; Maj 9 orë; Tetor 0 (zero) orë, nuk ka ardhur asistentja në proces mësimor; Nëntor 0 (zero) orë, nuk ka ardhur asistentja në proces mësimor, gjersa pagesa ka qenë e plotë në shumë 698.75 për çdo muaj (Janar-Nëntor 2016)”, zbulon raporti në fjalë.

Por jo vetëm kaq. Asistentja Rozafa Koliqi del se nuk e ka pasur telash fare t’i bëjë mungesat e saj në orët mësimore në Fakultetin e Mjekësisë. Kjo pasi sipas raportit të Auditimit, në këtë fakultet nuk ka funksionuar në nivelin e duhur dhe efikas monitorimi apo kontrolli i brendshëm për mbajtjen e evidencave për ardhjen dhe daljen nga puna të stafit akademik.

Madje, aty tregohet se evidencat mbahen nga një punëtor i sigurimit, që i takon stafit të jashtëm të fakultetit.

“Kemi identifikuar dhe gjetur se monitorimi, kontrolli i raporteve lidhur me procesin e mbajtjes së evidencës mbi ardhjen dhe daljen nga puna të stafit akademik nuk ka funksionuar në nivelin e duhur, efikas dhe efektiv, sepse evidenca e cila mbahet është më shumë për të plotësuar anën formale sesa një evidencë e saktë dhe e drejtë. Gjatë vizitës që i bëmë degës së Farmacisë më dt. 07.12.2016 dhe bisedës me shefin e degës gjetëm se evidenca mbahet te një punëtorë i sigurimit i cili është staf i jashtëm dhe në ato lista kishte qasje në çdo kohë stafi akademik”, tregojnë të gjeturat e auditimit që rektorati e pranoi me 12 dhjetor 2016.

“Asistentja e cila ishte për verifikim nga ana e jonë në muajin Mars 2016 në evidencën për hyrje dalje, figuron dalje në ora 15, gjersa mësimin e mban në ora 14:45 – 17 h në bazë të evidencave të dorëzuara (listave të studentëve)”, specifikon raporti i auditimit lidhur me verifikimin e mbajtjes së mësimit dhe pagesës së pagës për asistenten e Fakultetit të Mjekësisë, për periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar, i kryer më kërkesës e prorektores për buxhet dhe financa në UP.

Gazeta Express qysh të enjten ka nisur pyetje në Rektorat për rastin e asistentes Rozafa Koliqi, por ende nuk ka marrë sqarime. Njëjtë edhe Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kerliu nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës, ndonëse ka konfirmuar përmes telefonit se i ka pranuar ato përmes zyrës për informim të Rektoratit.  Derisa, kontakti me Rozafë Koliqin ka qenë i pamundur.

Nga ana tjetër, mos efikasiteti në mbajtjen e evidencave të fakultetit të mjekësisë del të mos jetë e vetmja mundësi që asistentja Koliqi t’i fshehë mungesat e saj. Gazeta Express, në ditët në vijmë do të sjellë dëshmi sesi një gjë të tillë është munduar ta arsyetojë vetë dekanja e Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kerliu, përmes një letre që i dërgoi Rektorit Marjan Dema një ditë para se Auditori të nis punën për raportin ndaj asistentes në fjalë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë