Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se gjatë takimit të sotëm me homologun e tij nga Kosova, Albin Kurti, kanë diskutuar për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj, transmeton Gazeta Metro.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka shkruar se i ka shprehur simpatinë Kurtit për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
”E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë,” ka shkruar ai.
Në fund, shefi i ekzekutivit shqiptar ka bërë të ditur se me Kurtin kanë rënë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor.
Gjatë ditës së sotme kryeministri kosovar është takuar edhe me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren, Lindita Nikolla.
Ashtu siç pritej edhe në ato takime është diskutuar për zhvillimet më të fundit rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. /gazetametro.net