Ministria e Punëve te Brendshme e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 97 mijë euro, duke i paguar 20 zyrtarë serbë të cilët nuk kryejnë asnjë shërbim për këtë ministri.
Ministria e cila udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, këta zyrtarë i ka paguar bazuar në Marrëveshjen e Brukselit, për integrimin në institucionet e shtetit të Kosovës për të ashtuquajturën ‘’Mbrojtja civile’’, të cilët vepronin në komunat veriore të Kosovës.
Këto gjetje janë publikuar në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2021, shkruan Paparaci.
“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 97,099€“.
ZKA-ja ka rekomanduar ministrin Xhelal Sveçla që t’i sigurojë kushte zyrtarëve serbë në mënyrë që ata të vijojnë punën.
“Ministri duhet të ndërmerr të gjitha veprimet për të siguruar krijimin e kushteve për vijueshmërinë e rregullt në punë të këtyre punonjësve, duke bërë monitorimin e vazhdueshëm siç parashihet me aktet ligjore”.
Përveç, MPB-së me 104 mijë euro buxhetin e shtetit e ka dëmtuar edhe Ministria për Komunitete dhe Kthime e udhëhequr nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, për të njëjtën arsye për mos vijimin në punë të 20 zyrtarëve serbë.