Loading…

Austria me gjoba marramendëse për të pavaksinuarit

  • 30/11/2021 | 17:30

Austria me gjoba marramendëse për të pavaksinuarit

Austria do të ashpërsojë akoma më tej ligjet në favor të vaksinimit. Pas vendimit për ta bërë vaksinimin të detyrueshëm, i cili hyn në fuqi nga 1 shkurti, qeveria po përgatit një ligj që ndëshkon me gjobë ata që nuk pranojnë të vaksinohen.


Sipas draftit që disponon austriakja “Die Presse”, të cilës i referohet Euractive, gjoba mund të arrijë vlerën 7200 euro.

Ligji i ri parashikon që të gjithë austriakët që refuzojnë vaksinimin të thirren në autoritetet e administratës së qarkut. Nëse e shpërfillin thirrjen dy herë, do të gjobiten me 3600 euro. Nëse kjo shkelje i vë personat e tjerë në “rrezik serioz”, ose nëse vazhdojnë të injorojnë urdhrin, gjoba kap vlerën deri në 7200 euro.

Projektligji do të paraqitet më 6 dhjetor, por “Die Presse” ka marrë paraprakisht draft propozimin paraprak.

Megjithatë, disa elementë mbeten të paqartë, veçanërisht nëse dikush vazhdon të refuzojë vaksinimin edhe pasi paguan gjobën. Sipas “Die Presse”, një nga zgjidhjet e diskutuara është që ata që nuk mund të provojnë se janë të vaksinuar do të marrin një gjobë çdo gjashtë muaj.

Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), 65.2% e popullsisë së Austrisë është vaksinuar.

Njoftimi për t’i bërë të detyrueshme vaksinimet ka rritur ndarjet në shoqërinë austriake. Presidenti Alexander van der Bellen ishte ndër të parët që paralajmëroi se “ekziston një rrezik i madh që përçarjet po thellohen”.

FPÖ, partia e djathtë populiste, e cila më parë e kishte humbur mbështetjen e votuesve për shkak të një sërë skandalesh korrupsioni, po forcohet gjithnjë e më shumë në masën e kundërshtuesve të vaksinave. Kur qeveria njoftoi vendimin për vaksinimin e detyrueshëm, kreu i partisë FPÖ, Herbert Kickl, tha se “nga sot, Austria është një diktaturë” dhe bëri thirrje për protesta masive që do të kundërshtojnë këtë vendim.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë