Loading…

‘Autokracia’ e Agim Ademit në FFK, i bën favore vetës në Draft-Statutin skandaloz

  • 18/01/2023 | 11:31

‘Autokracia’ e Agim Ademit në FFK, i bën favore vetës në Draft-Statutin skandaloz

Federata e Futbollit e Kosovës e ka përgatitur një draft për Statutin e vet të ri, në të cilin janë parë shkelje të mëdha dhe favorizime të dukshme për presidentin e federatës Agim Ademin dhe anëtarët e organit më të lartë të federatës, Komitetit Ekzekutiv.


FFK-ja do të kërkojë ta miratojë këtë Statut në një mbledhje të Kuvendit të Jashtëzakonshëm më 27 janar.

Gazeta Nacionale e ka parë draftin e përgatitur nga federata dhe nënshkruar nga presidenti Ademi dhe ushtrues i detyrës i Sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Hodaj, i cili i amniston Ademin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv nga Kodi i vet i Etikës për katër vitet e ardhshme.

“Me përjashtim të nenit 39 paragrafi 2 dhe nenit 59 paragrafit 6 të këtij Statuti, kërkesa për t’iu nënshtruar kontrollit të përshtatshmërisë dhe integritetit nuk zbatohet për anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, duke përfshirë presidentin e FFK-së dhe anëtarët e komisioneve të pavarura të cilat janë në funksion në momentin e miratimit të këtij Statuti, por respektohen për cilindo kandidat për pozitë në Komitetin Ekzekutiv, përshirë për president të FFK-së dhe anëtarë të komisioneve të pavarura, pas miratimit të këtij Statuti”, thuhet në pikën 7 të nenit 88 të Draft-Statutit.

Po ashtu, nëse ky Statut miratohet, atëherë anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv do t’iu shtohen jashtëligjshëm dy vite në mandatin tyre.

Ata u zgjodhën më 2020, por Statuti i ri ua mundëson atyre të qëndrojnë në pozitë deri më 2026, pavarësisht se mandati është katërvjeçar.

Për më tepër, me Statutin e ri, FFK-ja synon që t’ua shlyejë presidentit dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv mandatet e kaluara në vitin 2026, kur përfundon mandati i tretë i tyre, që nënkupton se ata do të mundë të zgjidhën përsëri edhe për tri mandate të tjera pas vitit 2026.

Ademi dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv do t’i kenë mbushur tri mandate në vitin 2026, që është maksimumi i lejuar me Statutin e tanishëm.

Kjo nuk do të ishte në përputhje me Statutin e FIFA-s, i cili nuk lejon më shumë se tri mandate katërvjeçare.

Po ashtu, është e rëndësishme të shihet nëse Komisioni për Vlerësim dhe Licencim i Ministrisë së Sportit do t’ia pranojë këtë Statut FFK-së, pasi është në kundërshtim me vërejtjet dhe kërkesat e vet komisionit.

Në Draft-Statutin e parë nga Nacionale, Hodaj është i nënshkruar si Sekretar i Përgjithshëm për herë të parë në një dokumente të lëshuara nga FFK-ja brenda vendit, pavarësisht se ai është vetëm ushtrues detyre i Sekretarit.

Posti i Sekretarit të Përgjithshëm është një tjetër çështje për të cilën Komisioni Për Licencim i ka dhënë vërejtje FFK-së, duke i kërkuar asaj ta ketë një sekretar të përhershëm me mandat të plotë, dhe jo ushtrues detyre.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë