Loading…

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës jashtë funksionit, s’ka kush t’i kontrollojë çmimet e larta

  • 09/06/2022 | 23:55

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës jashtë funksionit, s’ka kush t’i kontrollojë çmimet e larta

Kosova është përfshirë nga një krizë çmimesh. Rritja drastike e tyre, preku edhe sektorin e naftës, teksa edhe produkte të tjera po vazhdojnë të ndikohen nga inflacioni. Përkundër vështirësisë me çmimet e rritura, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, ende nuk ka marrë ndonjë vendim për të lehtësuar këtë situatë.


Madje, pushteti ende nuk e ka funksionalizuar Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, meqë parlamenti nuk ka arritur të zgjedhë anëtarët e AKK-së, që është organ që përcjell lëvizjet e tregut.

Nga një gjendje e tillë, sipas ish-udhëheqësit të AKK-së, Valon Prestreshi, më së shumti ka pësuar qytetari i Kosovës, pasi që ky organ nuk ka arritur të kontrollojë luhatjen e çmimeve në treg.

“Tash një vit kanë ndodhur shumë gjëra të pafavorshme në treg, e që më së shumti ka pësuar qytetari. Ka pasur rritje të çmimeve të produkteve bazë ushqimore në mënyrë të paprecedentë, ndërsa institucioni i AKK-së ishte dhe është jashtë funksionit. Ka pasur lëvizje të çmimeve të naftës dhe benzinës si asnjëherë më parë”, shkruan Prestreshi, në një shpjegim për rolin e AKK-së.

Prestreshi thekson se mosfunksionalizimi i AKK-së për një kohë kaq të gjatë, rrezikon të bëhet praktikë e pranueshme.

“Rreziku më i madh që mund t’i kanoset vendit nga mosfunksionalizimi i Autoritetit të Konkurrencës është se ndërmarrjet e bëjnë shprehi, … këto sjellje të ndërmarrjeve e rrezikojnë sistemin ekonomik të vendit tonë”, pohon Prestreshi.

Rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij institucioni, e thekson edhe ekonomisti Safet Gërxhaliu, i cili mosemërimin e Bordit e quan “të pakuptimtë”.

“Në këtë kohë krize, në këtë kohë kur kriza ka marrë përmasa ekonomike, sociale dhe emocionale, është e pakuptimtë të mos e kemi bordin apo komisionin e autoritetit të konkurrencës të pakompletuar. Sot AKK, është një institucion i paautoritet. Mund të ketë vetëm mision vëzhgues dhe mund të ketë vetëm rekomandime, mirëpo nuk ka kurrfarë kompetence që të hulumtojë apo të zgjidhë problemet”, deklaroi Gërxhaliu për Nacionalen.

Më tutje ai pohoi se situata është mjaft shqetësuese dhe autoritetet për zgjedhjen e bordit ose komisionit të AKK-së duhet të veprojnë shpejtazi.

“Është një situatë shqetësuese sidomos tani kur kemi ankesa edhe të qytetarëve edhe të institucioneve që dyshojnë në pajtueshmëri për çmimet, për sasi dhe për krijimin e monopoleve. Besoj që është urgjente që parlamenti i Kosovës të përshpejtojë procesin e kompletimit edhe të bordit edhe të komisionit, sepse me të vërtetë ky agjension ka një rëndësi të pakontestuar edhe strategjike, ekonomike edhe politike”, përfundoi deklarimin e tij për Nacionalen, Gërxhaliu.

AKK dhe naftëtarët

AKK, që në kuadër të kompetencave ka mbikëqyrjen e marrëveshjeve të dëmshme për konsumatorin, ka luajtur një rol kontrollues në sektorin e naftës në Kosovë. Madje, jo rrallëherë kompanitë e naftës kanë përfunduar të dënuar në vlerë financiare nga ky institucion.

AKK në një deklarim për Nacionalen, ka treguar se 14 ndërrmarrje të naftës janë gjobitur, përgjatë periudhës kohore 2015-2022, nën akuzën për kurdisje ose rregullim të çmimeve të produkteve që ata tregtojnë.

Shuma e gjithë këtyre gjobave që AKK ka shqiptuar, kapin në tërësi vlerën e 4,040,450.78€, thuhet në përgjigjen e tyre, për Nacionalen.

Kujtojmë që situata me çmimet e naftës është bërë temë diskutimi në opinionin publik, pasi që çmimi i naftës ka shkuar në 1 euro e 83 centë.

Për këtë çështje, sot është mbledhur edhe Shoqata e Naftëtarëve, teksa pas takimit i kanë dërguar edhe një letër kryeministrit Kurti. Aty thuhet se naftëtarët janë kundër vendimeve arbitrare që kanë për qëllim dëmtimin e industrisë së naftës dhe jo mbrojtjen e konsumatorit.

“Qeveria, nëse me të vërtetë është e interesuar të mbrojë konsumatorin, do të ishte e pritshme të reagonte njëlloj me Qeveritë e vendeve të rajonit dhe BE-së, nëpërmjet uljes së akcizës dhe/ose TVSH-së për produktet e naftës”, thuhet në reagim.

Tutje, naftëtarët kanë listuar edhe kërkesat e tyre për Qeverinë Kurti, duke kërkuar që të respektohet marzha fitimit.

“Nëse kërkesa e mësipërme nuk merret parasysh nga Qeveria, atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzhat të caktohen si më poshtë, kjo duke u bazuar në nivelet e çmimeve aktuale:

  • Shitja me shumicë 3%,
  • Shitja me pakicë 12%”, thuhet në letrën e Shoqatës.

Në fund, Shoqata ka shkruar se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, atëherë kanë paralajmëruar mbylljen e pikave të derivateve në tërë tërritorin, deri në reflektim të Qeverisë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë