Avokati ka mundësi të jetë vërtetë avokat, por ka mundësi të jetë edhe avokat i djallit. Për shembull, Avokat Koci është i rritur në tul të pushtetarëve, të cilët në shumë forma dhe përmbajtje kanë luftuar për të drejtat e “Dorës së Erdoanit” që më në fund ajo dorë magjike të shtrihet sa më thellë mbi mendjet tona të shprishura nga shejtan europianizmi.
Shkruan: Pal Shtufi
KATOLIK HALLALL
Arianit Koci paska deklaruar se qenka edhe katolik. Mirëboll. Si katolik që qenka, ai do duhej ta dinte uratën: “Zot, mos na le me ra në t’keq…” Këtë fjali, kryekëput iluministe, mund ta marrin juristët edhe si mësim pragmatik e si të tillë ta inkorporojnë edhe brenda drejtësisë shekullare. S’ka gjë të keqe. Nuk ka drejtësi bashkëkohore, e cila në imanencën e vetë nuk e përkrah cytjen iluministe: PREVENTIVË NGA E KEQJA. Pse pra avokat Koci është kundër preventivave krejtësisht humane?
TANI SHAMIA PASKA AVOKATIN E VETË
Avokati e di saktësisht që nuk ka nevojë të mbrohet e drejta për shaminë, sepse kur ai e mbronë atë, atëherë del një tjetër avokat dhe mbronë të drejtën e disa qytetarëve për të ecur gjysmëlakuriq ose lakuriq në rrugë. Mirëpo, avokati e di që interesi material ia do që ta mbrojë “të drejtën për errësim” – edhe me çmimin e konfrontimit me iluministët shqiptarë. Dhe, shih ti, avokati i djallit e ka kuptuar misionin deri në fund. Ai nuk është i kënaqur vetëm me faktin që është avokat i shamisë. Jo, jo, ai qenka shqetësuar PUBLIKISHT për këtë padrejtësi! Eh, këtu është esenca e të keqës. Arianit Koci ka marrë burinë e ekstremizmit fetar dhe po i bie me notat e të drejtave të njeriut. A mos ka mbetë pa lekë ky avokat?
UNË MENDOJ…
Shamia cenon rëndë të drejtën e zhvillimit normal të vajzave nën moshën 18 vjeçare. Posaçërisht në shoqëritë patriarkale, si kjo e jona, shamia bëhet saç, i cili djegë liritë e çdo gruaje. Aty ku gruaja nuk gëzon të drejtat e veta, ai shtet e ai popull ende nuk e ka parë dritën e vërtetë të lirisë prandaj zvarritjen e njeh si të vetmën ecje të mundshme!
(Autori është opinionist nga Zvicra. Ky artikull është botuar enkas për Metro.)