Loading…

AWEN me letër të hapur – kritikon ashpër përmbajtjen e emisionit “Përputhen”

  • 08/11/2021 | 22:37

AWEN me letër të hapur – kritikon ashpër përmbajtjen e emisionit “Përputhen”

Një letër e hapur në emër të shumë shoqatave, por të përfaqësuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN), i është dërguar njërit prej emisioneve më të ndjekura të momentit – “Përputhen”, duke e kritikuar ashpër për situatat e krijuara në studio.


Letra u përpilua pas edicionit të fundit të “Përputhen Prime”, gjatë të cilit dy prej protagnistëve, Alvisa Qarri dhe Hysen Ramaj, janë përballur me prova incizimesh për tradhti, ekspozim bisedash private dhe debate të ashpra ndërmjet vete, por edhe me të pranishmit e tjerë në studio.

Ndërkaq, përmes kësaj letre të hapur dërguar televizionit “Top Channel”, drejtorit Ben Blushi, autores së programit Olsa Muhameti dhe AMA-s, kjo organizatë e ka vënë theksin tek fenomeni i dhunës dhe mos respektim të etikës, duke parashtruar edhe disa pika për konsultim dhe bashkëpunim.

AWEN

“Thirrje për shmangien e viktimizimit të pjesëmarrësve në program dhe transmetimin e mesazheve të drejta kundër dhunës me bazë gjinore”, thuhet në letrën e hapur nga AWEN.

“Ju drejtohemi në emër të një grupi organizatash që punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, të drejtave të vajzave dhe grave, si dhe me fokus të veçantë viktimat e dhunës me bazë gjinore”.

AWEN ka theksuar se mënyra e trajtimit të histroisë së Alvisa Qarrit, legjitimon mentalitetin patriarkalit të cilësimit të partneres si “pronë” dhe kjo automatikisht jep mesazh të gabuar në publik.

“Përgjatë programit dhe formatit të tij u trajtua në mënyrë të detajuar historia e një prej pjesëmarrëseve,  Alvisa Qarri. Ne vlerësojmë se mënyra e trajtimit të ngjarjeve të Alvisa Qarri,  justifikon,  përkrah në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe legjitimon mentalitetin patriarkal të cilësimit të partneres/partnerit si ‘pronë’, ushtrimin e dhunës me bazë gjinore”.

“Duke u bërë kështu faktor në transmetimin e mesazheve të gabuara sa i takon dhunës me bazë gjinore dhe të drejtave të grave si të drejta të njeriut”, thuhet në letër.

Sipas Rrjetit të Fuqizimit të Grave në Shqipëi, reagime të shumta në publik nuk kanë përkrahur qëndrimin e këtij programit, ndërsa është dënuar tolerimi i dhunës duke e mohuar çdo formë justifikimi.

“Trajtimi jo i drejtë i këtij rasti ka nxitur gjithashtu një valë reagimesh të cilat paragjykojnë dhe etiketojnë vajzat dhe gratë e dhunuara, duke justifikuar dhunën ndaj tyre por, nga ana tjetër, edhe një valë të gjerë reagimesh të cilat nuk e përkrahin qëndrimin e programit, opinionistit apo drejtueses”.

“Kjo qasje përforcon përsëri stereotipet gjinore ku gratë perceptohen si të nënvlerësuara, si pronë dhe ku dhuna tolerohet apo justifikohet. Pavarësisht faktit se Alvisa Qarri është në moshë madhore dhe është përgjegjëse për vendimet/zgjedhjet e saj, ne vlerësojmë se kjo histori nuk duhej përdorur në një fokus mediatik të tillë”, thuhet mes tjerash në letrën e AWEN.

Për fund, AWEN, ka ftuar ekipin e emisionit “Perputhen”, televizionin “Top Channel” dhe AMA, t’i respektojë rregullat bazë të gazetarisë dhe të drejtat e njeriut në shmangien e dhunës me bazë gjinore.

“Ftojmë stafin e ‘Përputhen’ të aktivizojë respektimin e parimeve etike gjatë transmetimit të materialeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe dhunës me bazë gjinore, duke shmangur promovimin e rasteve të cilat pranojnë dhe justifikojnë dhunën, direkt apo indirekt”.

“Sugjerojmë, që të konsultoheni me ekspertë të fushës paraprakisht në rastet kur prezantoni histori apo ngjarjeve që trajtojnë shkelje të të drejtave dhe dhunën me bazë gjinore për të shmangur trajtimin jo të duhur të këtyre fenomeneve negative të shoqërisë shqiptare”, përfundon letra e AWEN.

/Albanianpost.com

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë