Me gjithë problemin e madh që solli në vend ndërtimi i murit mbi lumin Ibër të Mitrovicës, përgjegjësia për të ende mbetet një paqartësi për opinionin publik.
Ditë më parë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përveç se deklaroi që ky mur do të rrëzohet sepse nuk ka qenë pjesë e dialogut, ai tha edhe se përgjegjësia për një gjë të tillë i takon autoriteteve lokale, duke aluduar te kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Mirëpo, kështu nuk mendon edhe i pari i Mitrovicës.
Agim Bahtiri, nga radhët e Aleancës Kosova e Re (AKR) murin e ndërtuar së fundi mbi lumin Ibër të Mitrovicës nuk e sheh si përgjegjësi të komunës me të cilën ai udhëheq.
“Muri është përgjegjësi e komunës së Mitrovicës Veriore dhe organeve e autoriteteve të atjeshme”, u shpreh Bahtiri për gazetametro.net.
Tutje, sipas fjalëve të tij, përgjegjësinë e këtij rasti e mban mbi supe Qeveria dhe Ministritë përkatëse.
“Mitrovica e Jugut dhe unë nuk kemi asgjë të bëjmë me murin ilegal dhe joligjor që është ndërtuar në cepin verior të urës mbi Ibër”, tha Bahtiri.
“Qeveria dhe ministritë përkatëse janë përgjegjëse për ndërmarrjen e procedurave dhe masave të nevojshme ligjore për zgjidhjen e kësaj çështje”, tha ai në bisedën për Gazeta Metro. /gazetametro.net.