Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e tij nga pozita e kryetarit të kësaj komune, transmeton Gazeta Metro.
Bahtiri me anë të një postimi në Facebook, ka thënë se disa media po spekulojnë se do të jep dorëheqje, mirëpo Bahtiri bënë të ditur se diçka e tillë është e pavërtetë, madje ai thotë se do të jetë kryetar i Mitrovicës edhe për dy mandate radhazi.
“Nuk e kam menduar asnjëherë dorëheqjen e as që do të ndodh, përkundrazi do të jem kryetar i Mitrovicës edhe për dy mandate radhazi, sepse nuk mund t’ua lë në duar qytetin tim atyre që e shkatërruan dhe ia humbën dinjitetin”, ka shkruar Bahtiri.
Ai tutje ka theksuar se ndryshimet e reja në nivel qendror, kanë bërë që të ketë rritje të dinamikës së punëve, njëjtë sikurse mbështetja institucionale, gjë që sipas tij, jep motiv për të punuar edhe më shumë.
Postimi i plotë:
“Spekulimet e disa mediave të caktuara për kinse dorëheqjen time janë të pavërteta dhe tendencioze, më qëllim të pengimit të punës time në këtë situatë të re të krijuar pas formimit të Qeverisë, e cila do ta ketë prioritet Mitrovicën.
Nuk e kam menduar asnjëherë dorëheqjen e as që do të ndodh, përkundrazi do të jem kryetar i Mitrovicës edhe për dy mandate radhazi, sepse nuk mund t’ua lë në duar qytetin tim atyre që e shkatërruan dhe ia humbën dinjitetin.
Asnjë agjendë mediale, qoftë edhe e sponzorizuar nga kundërshtarët politik, nuk do ta ndalë hovin e punës së ekipit tim, ku të gjithë drejtorët po bëjnë punë të shkëlqyer.
Po ashtu më duhet të potencoj se me ndryshimet e reja në nivel qendror, dinamika e punëve është rritur për ne, ashtu sikurse edhe mbështetja institucionale, prandaj kemi motiv që të punojmë edhe në orët e mbrëmjes”. /gazetametro.net