Loading…

Baleti “Recomposed”, trumpeton për rikrijimin e domosdoshëm

  • 10/12/2016 | 15:34

Baleti “Recomposed”, trumpeton për rikrijimin e domosdoshëm

Rrotullimet e balerinëve janë të shpejta. Shoqërohen nga cicërima zogjsh. Fillimisht një nga një e më pas edhe si grup balerinët dalin nga një skaj i sallës dhe nëpërmjet lëvizjeve me ritëm të përshpejtuar dalin nga ana tjetër e hapësirës ku zhvillohet loja.


Duket sikur hapin dhe mbyllin një cikël. Me një skenografi të thjeshtë ku perdja e najlonit shkëlqen dhe reflekton dritë nga prapavija e skenës, nis të marrë formë shfaqja “Recomposed”, që është dhënë premierë të enjten mbrëma nga Baleti Kombëtar i Kosovës. Loja ndahet midis individualitetit dhe grupit.

E konceptuar sikurse rikompozimi i “Katër stinëve” të Antonio Vivaldit nga kompozitori Max Richter, “Recomposed” me koreografi të dy francezëve Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas-Descours, që janë pjesë e kompanisë “Sine qua non art”, bazohet mbi nocionin e rikrijimit.

Problemet bashkëkohore gjejnë vend brenda lojës së balerinëve. Në një moment meshkujt krijojnë një mur përballë publikut, ku vajzat nuk lejohen ta kalojnë atë. Provojnë shumë e lëshojnë klithma, por është e pamundur t’ia dalin. Kjo skenë asocion edhe me kufijtë e mbyllur për refugjatë e edhe me historinë jo të largët të Kosovës. Përplasjet midis balerinëve flasin për mosmarrëveshje, e pajtimi herë bëhet më i afërt e herë duket i pamundur.

Sipas shpjegimit që i kanë bërë koreografët, “Recomposed” është një pjesë rreth vendit të një individi brenda grupit që kujton se si përvoja e altruizmit është një bazë fondamentale e njeriut për të kuptuar më mirë dhe për të respektuar punën që të gjithë bartin në formën e tyre në sferën kulturore dhe artistike. Secila prej vajzave rrokulliset nëpër skenë dhe bie poshtë, përderisa prapë ngjiten lart. Kësisoj, gjatë gjithë kohës duhet të rikrijohen situatat.

Njëra prej balerinave të para në Kosovë, Sabrije Spahiu, që tash mban kurse baleti, ka thënë se shfaqjen e ka pëlqyer shumë.

“Ka individualitet e edhe lojë grupore. Koreografia ishte e jashtëzakonshme. Gjërat lidheshin dhe vazhdimësia mbizotëronte ashtu siç është vazhdimësia e jetës. Bëhet një ballafaqim me problemet e sotme. Tamam problemet e kohës”, ka thënë ajo pas shfaqjes. Sipas Spahiut, nuk është i lehtë transformimi i lojës nga klasikja tek modernia. Por ka thënë se Baleti Kombëtar i Kosovës tashmë ka krijuar përvojën e duhur.

“Mund të them se shfaqja më ka pëlqyer jashtë mase. Loja ishte e jashtëzakonshme. Të gjithë balerinët kanë pasur veçantinë e vet. Skenografia ishte e thjeshtë. Reflektonte dritë dhe çdo gjë ishte e qëlluar”, ka thënë Spahiu.

Skenografia nuk ndryshon asnjëherë për dallim prej lojës që nuk ka një pikë kur fillon dhe mbaron, pasi ngjarjet që shtjellohen brenda më pak se një ore janë të shpejta dhe kanë epilog të ndryshëm nga njëra-tjetra.

Koreografi Christophe Beranger ka thënë se ideja ishte që me muzikën e rikompozuar të punohej me valltarët duke qenë së bashku dhe duke gjetur qëndrime të forta brenda grupit.

“Ne po ashtu mund të shohim individualitetin e secilit prej balerinëve. Premiera ishte shumë e fuqishme dhe për këtë jemi shumë të kënaqur”, ka thënë ai. Sipas tij, shfaqja ka të bëjë me individin dhe grupin dhe atë se cila është mënyra që individi të gjejë vendin e tij në një grup. “Qëllimisht e kemi ruajtur titullin e pjesës muzikore, ‘Recomposed’ sepse edhe në jetën tonë të përditshme jemi të detyruar që të rikrijojmë, ta rigjejmë vendin tonë në hapësirë e shoqëri. Po ashtu, ka qenë domethënëse që këtë ta lidhim edhe me historinë e vendit tuaj”, ka thënë ai.

Premiera e katërt dhe e fundit për këtë e vit e Baletit Kombëtar të Kosovës kishte nisur të përgatitej tash para një muaji, kur katër çifte të BKK-së kishin qëndruar në qytetin francez La Rochelle, ku edhe kishte nisur të konkretizohej projekti. Pas një jave në Francë, kanë mjaftuar vetëm edhe dhjetë ditë në Prishtinë, që BKK-ja të jetë gati për premierën që mbushi sallën plot.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj, ka thënë se për kohën që ka punuar e gjithë trupa nuk e ka pritur këtë rezultat pasi shfaqja është punuar shumë shpejt. “Por është punuar shumë dhe është arritur ajo që arrihet me këtë stil të shfaqjes”, ka thënë Brahimaj. “Recomposed” e ka cilësuar si një shfaqje të mirë. “Ka pasur lojë të mirë, temp e ritëm që i pëlqen publikut tonë. Mendoj se me këtë shfaqje e kemi përmbyllur një sezon të suksesshëm”, ka thënë Brahimaj.

Austria, Franca e Gjermania kanë qenë tri prej stacioneve evropiane ku sivjet është ndalur Baleti Kombëtar i Kosovës. E “Recomposed” që shtjellon probleme universale pritet që të jepet në një varg qytetesh evropiane gjatë vitit të ardhshëm, pasi këtë vit disa vendeve u është bërë e njohur çështja e personave të zhdukur nëpërmjet shfaqjes “Xhulieta pa Romeon”.

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë