Kanë përfunduar tre ndeshjet e para të xhiros së 27’të të Superligës së Kosovës në futboll, transmeton Gazeta Metro.
Ballkani pas pesë ndeshjeve rresht pa fitore në elitën e futbollit kosovar, ka arritur sot në Suharekë një fitore shumë të rëndësishme kundër Gjilanit me rezultat 2-0.
Për kampionët në fuqi të Kosovës realizuan Meriton Korenica (19′) dhe Albion Rrahmani (61′).
Prishtina ka vazhduar serinë e rezultateve pozitive ndaj Trepçës’89. Kryeqytetasit triumfuan me përmbysje në ‘Fadil Vokrri’ me rezultat 4-1.
Pjesa e parë përfundoi me avantazhin e mitrovicasve, të cilët kaluan në epërsi me anë të Ardian Mujës (29′).
Megjithatë, skuadra e udhëhequr nga Debatik Curri u shfaq me një ‘fytyrë’ krejt tjetër në 45 minutat e dyta ku përmes Albin Prapashticës (53′), Bujar Pllanës (57′, 66′) dhe Shefit Shefitit (85′) mori pikët e plota në shtëpi.
Fitore si vendas ka shënuar edhe Llapi ndaj Malishevës me rezultat minimal 1-0, falë golit të realizuar nga Franciso Rivera (78′).
Kujtojmë që nesër me fillim nga ora 15:00 do të zhvillohen edhe dy ndeshjet e tjera të kësaj xhiro: Drita – Drenica dhe Dukagjini – Ferizaj. /gazetametro.net