Balotazhi për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit i caktuar nga KQZ më 18 dhjetor, po vlerësohet si i jashtëligjshëm. Ligji thotë se balotazhi duhet të mbahet ditën e diele, katër javë pas raundit të parë të zgjedhjeve, e që në këtë rast, do të duhej të ishte data 1 janar 2017.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të datës 4 dhjetor për kryetar të Komunës së Drenasit, nuk i sollën kësaj komune kryetarin e ri.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Këshilli Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kandidati i PDK’së Ramiz Lladrovci dhe ai i NISMA’s Isa Xhemajlaj do të shkojnë në balotazh më 18 Dhjetor të këtij viti. Datë kjo e vendosur nga vetë KQZ’ja.
Mirëpo, siç duket ata me këtë rast nuk kanë vepruar në përputhje me ligjet në fuqi.
Profesori dhe juristi Mazllum Baraliu në një bisedë me gazetametro.net ka thënë që ligji është shumë i qartë në këtë pikë, dhe se KQZ’ja është dashur ta ketë parasysh një gjë të tillë kur vendosi për datën që do përballë dy rivalët për karrigen e të parit të Drenasit.
“Është një çështje që do duhej të trajtohet seriozisht nga vetë KQZ’ja, atje po ka shumë lëvizje, vet brenda KQZ’së po ka lëvizje të shumta, edhe përfaqësuesit e partive politike po ndërrohen atje edhe brenda strukturës do të duhej që ti zbatojnë me përpikmëri edhe rregullat e tyre të brendshme, dhe sidomos dispozitat ligjore për zgjedhjet lokale në këtë rast”, tha ai.
“Nëse ka shkarje në mosrespektimin e afatave, atëherë duhet drejtuar atyre që ti rishikojnë vendimet e tyre dhe ti përmirësojnë, përndryshe ato zgjedhje do shpallen null”, shtoi ai.
Baraliu i pyetur nga gazeta Metro se a lejon ligji raste të veçanta, ka thënë se ligji është shumë i qartë, dhe çdo ndryshim duhet të bëhet në përputhje me të.
“Ligjet janë rigoroze dhe afatet jane rigoroze, thuhet katër javeëpas raundit të parë, atëherë dita e fundit e javës së katërt do duhej të ishte ditë e caktuar për zgjedhje”, përfundoi ai.
Në anën tjetër, një burim i Gazetës Metro brenda KQZ’së i cili preferon që të mbetet anonim, ka një mendim paksa më ndryshe se Baraliu.
“Po, ashtu e thotë ligji por ka edhe një interpretim sipas të cilit KQZ’ja tek zgjedhjet e jashtëzakonshme mund ti shkurtojë disa afate, për këtë arsye disa nga kolegët tonë aty edhe më parë e kanë mbrojtur idenë se KQZ’ja mund të shkurtojë edhe këtë afat”, tha ai.
Përndryshe, ditë më parë Demokracia në Veprim përmes një deklarate e vlerësoi këtë vendim të KQZ’së si të jashtëligjshëm.
Sipas tyre KQZ-ja ka marrë vendim ende pa u numëruar të gjitha fletëvotimet përfshirë ato me kusht, pa u shqyrtuar ankesat nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe pa i certifikuar rezultatet e zgjedhjeve nga raundi i parë.
“Për më tepër, vendimi për caktimin e datës për raundin e dytë të zgjedhjeve është bërë në kundërshtim me nenin 9.6 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale që përcakton se Raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet ditën e diele katër (4) javë pas raundit të parë, duke shkurtuar kështu në mënyrë të kundërligjshme afatin për raundin e dytë. “, thuhet në këtë njoftim.
Demokracia në Veprim përmend edhe pikën se ku lejohet ndryshimi i afateve ligjore.
“Përkundër që Neni 4.4 i Ligjit për Zgjedhjet Lokale parasheh mundësinë e ndryshimit të afateve kohore në rast se kjo nevojitet për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme, ne pretendojmë që ky Nen ka të bëjë vetëm me qeverisjen e zgjedhjeve dhe jo me caktimin e afateve të cilat janë qartë të përcaktuara në nenin 9.6 të këtij ligji”, është thënë në reagimin e DnV-së.
Arsye për vendosjen e datës së balotazhit është që zgjedhjet në Drenas tëë mbahen në prani të bashkësisë ndërkombëtare, këta të fundit dihet se e lëshojnë Kosovën për kohë e pushimeve të fundvitit./gazetametro.net