Loading…

Banka Kombëtare: E nevojshme apo jo?

  • Nga

  • BLEND HYSENI

  • 21/01/2020 | 21:15

Banka Kombëtare: E nevojshme apo jo?

Në vitet e fundit, bankat private në Kosovë kanë arritur të realizojnë përfitime të larta financiare. Në raportin e fundit të Bankës Qendrore, kthimi mesatar i kapitalit të dhjetë bankave private që operojnë në Kosovë, vlerësohet të jetë 19.6%.


Shkruan – Blend Hyseni

Duke parë këto përfitime, qytetarët e Kosovës, përfshirë dhe disa njohës të çështjeve financiare, shpesh herë kanë akuzuar bankat se kanë krijuar një kartel apo marrëveshje sekrete ndërbankare për mbajtjen e normave të interesit të larta, të cilat jashtëligjshëm dërgojnë në rritjen e përfitimeve të tyre. Me këtë premisë, subjekti i parë i zgjedhjeve të fundit nacionale, propozoi krijimin e një banke kombëtare për të ndikuar në zvogëlimin e normës mesatare të interesit dhe për të lehtësuar qasje në financa të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Megjithatë, i njëjti subjekt në mënyrë indirekte gjatë fushatës zgjedhore paraqiti shumë arsye pse krijimi i një banke kombëtare, në planin afatgjatë, mund të jetë jo vetëm joefektiv, por edhe i rrezikshëm për ekonominë e Kosovës.

Disa nga problemet që u ngritën në fushatë zgjedhore, janë joefikasiteti i gjykatave që vonojnë zgjidhjen e kontesteve ekonomike deri në dy vjet, mungesa e rregullimit kadastral, mungesën e të drejtave pronësore, etj. Të gjitha këto janë disa nga arsyet pse normat e interesit janë të larta, por të cilat janë të krahasueshme me ato të rajonit. Krijimi i një banke kombëtare është një projekt afatgjatë që tejkalon një mandat qeveritar.

Në versionin më të mirë, kjo bankë do të themelohet dhe menaxhohet në mënyrë të përsosur nga qeveria që e propozon atë. Mirëpo, bazuar në qeverisjet e mëparshme, pas një rotacioni politik, ky institucion, si shumë institucione publike të pavarura, mund të shndërrohet në një mjet për partitë politike për të financuar bizneset e afërta me këto parti. Pra, të njëjtin fat si institucionet tjera pubike mund ta ketë Banka Kombëtare, por me pasoja më të mëdha.

Kjo për shkak se falimentimi eventual i kësaj banke, në qoftë se pranon depozita, mund të çojë shpejt në falimentimin e të gjithë sistemit financiar në Kosovë. Sepse qytetarët e kanë të vështirë të dallojnë arsyet e falimentimit të kësaj banke dhe mund të krijojnë panikë e mosbesim edhe në bankat e tjera private, ku do të kërkohej tërheqja e depoziatave me ç’rast do të rrezikohej falimentimi edhe i disa bankave të tjera në Kosovë.

Nëse shqetësimi është te normat e larta të interesit dhe qasja e vështirë në financa, ekzistojnë forma të tjera që mund të përmirësonin këtë gjendje pa rrezikuar stabilitetin financiar dhe ekonomik. Një formë që ka treguar rezultat që nga fillimi i saj është Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (KCGF). Ky fond, i themeluar në vitin 2016 nga qeveria e Kosovës me donatorë si USAID dhe KfW, synon të rrisë qasjen në financa duke garantuar deri në 50 përqind të kolateralit të huamarrësve, të cilët pa këtë fond nuk do të mund të kualifikoheshin për kredi.

Mbulimi deri në 50 përqind i kredisë ndikon në uljen e normave të interesit të kredisë pasi rreziku i ekspozimit të bankës në rast të dështimit të shlyerjes së kredisë bie. Sipas të dhënave të KCGF-së, deri në vitin 2019 mbi 130 milion euro garanci kredie u lëshuan ku përfituan mbi 3,413 pronarë të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, të cilët nuk mund të kualifikoheshin për kredi pa këtë fond.

Ky fond është i vetëqëndrueshëm nga kthimi i kredisë së huamarrësve në mënyrë të rregullt. Në rast të dështimit eventual të këtij fondi ose të ndonjë fondi të ngjashëm, pasojat financiare do të ishin shumë më të vogla. Me ç’rast ky fond do të shuhej pa ndonjë efekt tjetër anësor. Një mënyrë tjetër ku qeveria e re mund të ndikojë në uljen e normave të interesit, është të përpiqet të përmirësojë efikasitetin e gjykatave që merren me konteste ekonomike, të rregulloj çështjen e pronave dhe të drejtave pronësore dhe faktorëve të tjerë të të bërit biznes. Të gjitha këto mundësi duhet të shteren para krijimit të një banke kombëtare.

Të gjenden mënyra të tjera kreative për të ulur normat e interesit dhe qasjen në financa, pa rrezikuar stabilitetin financiar dhe ekonomik të vendit përmes formës së një banke kombëtare. Bankat kombëtare kanë qenë jostabile edhe në vendet me zhvillim të lartë të demokracisë e lëre më në situatë të Kosovës ku abuzimi me këto institucione është shumë më i lehtë.

(Ky artikull është kontribut ndaj projektit TLP Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtëartikull i takojnë autorit Blend Hyseni dhe nuk i reflektojmë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë