Papa Leo XIV është përballur me një situatë të pazakontë me shërbimin ndaj klientit të bankës së tij në SHBA, pasi një punonjëse i ka mbyllur telefonin gjatë një bisede për ndryshimin e të dhënave personale, transmeton Gazeta Metro.
Ngjarja është rrëfyer nga miku i tij i hershëm, Reverend Tom McCarthy, gjatë një aktiviteti të mbajtur më 29 prill në Illinois.
Sipas tij, pak muaj pasi mori detyrën si papë, Leo i lindur si Robert Prevost kishte telefonuar bankën e tij në Çikago për të ndryshuar numrin e telefonit dhe adresën.
Pasi iu përgjigj pyetjeve të sigurisë, përfaqësuesja e bankës i tha se procedura kërkonte paraqitje fizike në degë.
“Oh, më vjen keq zotëri, por këtu thuhet se duhet të vini personalisht”, mësohet t’i ketë thënë ajo.
Edhe pse Papa Leo tentoi ta bindte punonjësen, situata nuk ndryshoi. Në fund ai i tha: “A do të kishte rëndësi për ju nëse do t’ju thoja se jam Papa Leo?”
Por as kjo nuk bindi punonjësen e bankës, e cila sipas McCarthy “ia mbylli telefonin”.
“A mund ta imagjinoni të njiheni si gruaja që i mbylli telefonin Papës?”, tha ai me humor.
Më vonë, përmes kontakteve me drejtuesit e bankës, problemi u zgjidh dhe numri i telefonit iu ndryshua papës, ndërsa ai kërkoi që informacioni i ri të mos shpërndahej./gazetametro.net
Not even Pope Leo can avoid the frustrations of customer service. The pontiff was trying to update his address and phone on file for the bank, but the customer service operator hung up on his holiness. pic.twitter.com/GuvhIOQSVi
— CBS Evening News with Tony Dokoupil (@CBSEveningNews) May 6, 2026