Mungesë progresi në fushën e gjyqësorit dhe ndikim i interesave politike në anshmërinë e tij vazhdojnë të vërehen në sistemin e drejtësisë së Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Kështu së paku thotë Bashkimi Evropian në vërejtjen për Kosovën në Raportin e fundit për sistemin e drejtësisë.
Në të njëjtin përmendet edhe Ligji për Specialen dhe ai për KPK-në
Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën ku vlerëson se Kosova nuk ka shënuar progres në funksionimin e gjyqësorit, duke theksuar se ndikimi i interesave politike dhe ekonomike vazhdon të jetë pengesë serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.
Në raportin për Kosovën për vitin 2026, Komisioni Evropian konstaton se vendi ndodhet ndërmjet fazës së hershme dhe një niveli të caktuar të përgatitjes për zbatimin e legjislacionit të BE-së dhe standardeve evropiane në fushën e gjyqësorit dhe të drejtave themelore.
Sipas raportit, ndikimi i papërshtatshëm nga brenda sistemit dhe nga faktorë të jashtëm, përfshirë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që vazhdon të jetë pengesë e rëndësishme për pavarësinë e gjyqësorit, por në disa aspekte është intensifikuar.
Komisioni vëren se pakoja e projektligjeve për sistemin e drejtësisë ende nuk është miratuar, duke penguar reformat e nevojshme në këtë fushë. Kjo, sipas raportit, ka ndikuar negativisht në përpjekjet për të forcuar llogaridhënien dhe efikasitetin në gjyqësor dhe prokurori.
Raporti veçon edhe zhvillimet lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Më 6 tetor 2026, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin që rregullon këto institucione, por më 22 tetor presidentja ia ktheu ligjin Kuvendit për rishqyrtim.
Komisioni Evropian shpreh shqetësime serioze lidhur me këto ndryshime, duke vlerësuar se ato mund të bien ndesh me zotimet ndërkombëtare të Kosovës dhe parimet themelore të sundimit të ligjit. Në veçanti, përmenden pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësia e të drejtave procedurale dhe llogaridhënia efektive për krimet e luftës. Shqetësime janë ngritur edhe për kushtetutshmërinë e ndryshimeve.
Një tjetër çështje e evidentuar në raport është zbatimi i ndryshimeve në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Komisioni thotë se vështirësitë në zbatimin e tyre tregojnë për një perceptim të kufizuar të llogaridhënies dhe përkushtimit ndaj reformave, si dhe për ndikimin e vazhdueshëm të interesave të caktuara. Shqetësime të veçanta janë ngritur për fletarrestimet e lëshuara në mënyrë retroaktive dhe zbatimin e procedurave e masave mbrojtëse përkatëse.
Megjithatë, raporti evidenton edhe disa zhvillime pozitive, përfshirë përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit dhe ndryshimet në përbërjen e KPK-së, në përputhje me kornizën e ndryshuar ligjore.
Komisioni vlerëson gjithashtu se përfaqësimi i pamjaftueshëm i serbëve të Kosovës në gjyqësor mbetet shqetësim serioz, pasi ndikon në karakterin shumëetnik të sistemit të drejtësisë dhe cenon Marrëveshjen e Dialogut të vitit 2015 për drejtësinë.
Në mesin e rekomandimeve për vitin e ardhshëm, Komisioni Evropian kërkon miratimin e legjislacionit që buron nga Deklarata e Përbashkët e Zotimit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe konsultime të reja për projektligjet e rishikuara./gazetametro.net