Shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn, kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për situatën momentale në Shkup.
Mogherini dhe Hahn, dënojnë sulmet e sotme ndaj deputetëve në Kuvend në Shkup. Ata kërkojnë qetësi dhe përmbajtje nga ana e tyre. Në deklaratën e përbashkët të tyre, thuhet se shohin pozitive zgjedhjen e Talat Xhaferit si Kryetar i Kuvendit, shkruan gazetametro.net.
‘Ne dënojmë sulmet e sotme të vazhdueshme ndaj deputetëve të Kuvendit në Shkup. Aktet e dhunë në Parlament janë tërësisht të papranueshme dhe ne kërkojmë qetësi e përmbajtje. Ministria e Brendshme dhe Policia duhet të sigurojnë Parlamentin dhe anëtarët e tij. Demokracia duhet të vazhdojë rrugën e saj. Ne marrim pozitive, zgjedhjen e Talat Xhaferit si Kryetar i Kuvendit, siç po raportohet’, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Ata shprehen se dialogu politik në institucionet është e vetmja rrugë përpara, dhe nxisin të gjithë politikanë atje ta respektojnë Kushtetutën e vendit.
‘Bashkimi Evropian është i bindur se dialogu politik në institucionet është e vetmja rrugë përpara dhe ne i nxisim të gjithë aktorët politikë që ta respektojnë Kushtetutën e vendit dhe të veprojnë në frymën e parimeve demokratike, të mirësjelljes dhe të mirëkuptimit të përbashkët. Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë është një vend kandidat dhe Bashkimi Evropian është gati të punojë me Parlamentin për reformat e nevojshme për ta çuar vendin përpara në rrugën e saj evropiane,’ përfundon deklarata.
Ndryshe, situata eskaloi pas zgjedhjes së shqiptarit Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit anti-shqiptar, përkrahës të Nikolla Gruevskit kanë thyer dyert e Parlamentit dhe kanë hyrë brenda ku kanë sulmuar deputetët./gazetametro.net