Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Suharekë, Selman Kolgeci, ka reaguar pasi komuna ka lejuar që të bëhet qarkullimi i veturave në dy drejtimet në ‘Sheshin e Qytetit’, shkruan Gazeta Metro.
Me vendim të Komunës së Suharekës dje është lejuar qarkullimi i veturave në të dy drejtimet në ‘Sheshin e Qytetit’ në Suharekë, kjo të paktën gjatë sezonit veror.
Por ky vendim sipas anëtarit të kryesisë së LDK’s në Suharekë, Selman Kolgeci e minon qëllimin dhe funksionin e sheshit dhe i ngulfat bizneset e asaj pjese edhe më shumë.
“Edhe sa akrobacione tjera do t’i bëni në shesh për të na mashtruar se kinse keni bërë diçka? Të ndodhur në siklet me zgjidhjen që e kanë bërë me PËRSHESHIN, për të u arsyetuar para mërgimtarëve tanë, sot, paska vendosur që ta lejoj qarkullimin e automjetëve në dy drejtime! Vendim ky që e minon qëllimin dhe funksionin e Sheshit”, ka shkruar ai në Facebook.
Tutje Kolgeci ka thënë se bizneset që operojnë në atë pjesë janë dëmtuar shumë.
“Bizneset që operojnë në atë pjesë të Suharekës edhe ashtu të dëmtuar, tashmë janë të pa fuqishëm që ta zhbëjnë këtë veprim të pa përgjegjshëm të kësaj qeverie lokale të pa përgjegjshme, ky veprim i ngulfatë akoma më shumë bizneset sepse po i’a merr edhe ato pak parkingje të cilat u ndërtuan në kundërshtim me projektin (pa miratimin e projektantit dhe në kundërshtim me detyrën projektuese). Në fillim kemi reaguar se ky shesh po bëhet “përshesh”, përpos që ky investim dyshohet se është korruptiv i njejti si i tillë nuk p’o arrinë as funksionin e as qëllimin!Siç edhe kemi thënë tani edhe p’o dëshmohet që sheshi i nisur po na del rrugë me trotuare të zgjeruara”, ka shkruar tutje Kolgeci.
Në fund anëtari i kryesisë së LDK’së në Suharekë, ka bërë një pyetje për zyrtarët komunal.
“Pse nuk e keni ndërtuar sheshin si variantit të parë (funksional), i cili ishte i pranueshëm nga të gjithë dhe përgjysmë më pak do të kushtonte ndërtimi i tij”.
Kujtojmë se ndërtimi i Sheshit të Qytetit në Suharekë ka kushtuar rreth 2 milionë euro, punime këto që janë kryer nga kompania e Blerim Kuçit. /gazetametro.net