Një vatër e përmasave të mëdha ka përfshirë jugperëndimin e Francës, duke detyruar autoritetet të evakuojnë më shumë se 10 mijë banorë nga rreth 20 vendbanime pranë kufirit me Spanjën, transmeton Gazeta Metro.
Sipas paralajmërimeve zyrtare, erërat e forta të së hënës pritet ta bëjnë edhe më të vështirë vënien nën kontroll të situatës. Në mbështetje të operacionit është angazhuar edhe Bashkimi Evropian, i cili ka njoftuar dërgimin e katër avionëve zjarrfikës nga Qipro dhe Suedia për t’u ardhur në ndihmë ekipeve që po luftojnë me flakët në afërsi të qytetit Perpignan.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, reagoi përmes platformës X, ku shkroi: “Evropa qëndron me Francën”.
Sipas prefektit lokal Pierre Regnault de la Mothe, zjarri deri më tani ka shkrumbuar rreth 4 mijë e 600 hektarë sipërfaqe në zonat malore të Pirenejve francezë, shkruan Reuters.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, ka paralajmëruar se kushtet atmosferike po bëhen gjithnjë e më të pafavorshme për ndërhyrjen e zjarrfikësve.
“Këtë mëngjes kushtet po përkeqësohen sërish. Sot beteja rifillon”, deklaroi ai për televizionin TF1./gazetametro.net