Loading…

Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë merr emrin e Ismail Kadaresë

  • 02/07/2026 | 19:41

Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë merr emrin e Ismail Kadaresë

Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë mori emrin Ismail Kadare, si hapësira që përfaqëson kujtimin e shkrimtarit në mjediset e fakultetit të tij.


“Këto korridore janë vendi ku unë kam studiuar, ashtu sikurse Kadare. Gjithçka është shumë bukur, lum ata që do të vijnë në këtë bibliotekë kaq të pasur që do të mbajë emrin e Kadaresë që për fat të mirë, rinia e nderon“, u shpreh shkrimtarja Helena Kadare.

Në 2-vjetorin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit, në ambientet e fakultetit u mbajt ceremonia-homazh “Gjithkush Kadarenë e vet”.

“Nuk mund të kishte një emër më të denjë për hapësirën ku studentët dhe pedagogët zhvillojnë dijen dhe zhvillojnë mendimin kritik. Ky emër do t’u kujtojë brezave të ardhshëm se dija dhe letërsia janë themelet më të forta të identitetit tonë kulturor“, tha dekani i Fakultetit te Historisë dhe Filologjisë, Mark Marku.

Personalitete të letrave dhe jetës akademike kujtuan takimet e para me veprat e Kadaresë, që më penën e tij u bë një urë mes përvojave personale dhe kujtesës kolektive.

“Ky largim i ngjan më tepër një trilli letrar sepse jeta e vërtetë e shkrimtarëve, është jeta e letërsisë. Aty ku ne e rigjejmë Kadarenë sa herë e lexojmë“, tha studiuesja Persida Asllani.

“Dua të kujtoj, se si unë, si një 18-vjeçar, përjetova momentin kur doli ‘Dimri i vetmisë së madhe’. Nxënësit e shkollave të mesme të Tiranës e morën si ujë të pakët. Me atë libër u fut në krizë ora e mësimit të letërsisë, shkaktoi një ndarje të madhe në shoqërisë“, u shpreh akademiku Artan Fuga.

Për studiuesit, Kadare ishte shkrimtari që lartësoi estetike letrare në Shqipëri, por në sytë e mbesës, ishte gjyqi më i veçantë…

“Më rastiste të mendoja se ajo butësi ishte një sekret që e ndanim vetëm ne të dy. Më kujtohet kur ai e ekzagjeronte qëllimisht pamjet e tij të sertë, pastaj sytë tanë takoheshin dhe shkëmbenim një buzëqeshje kuptimplotë“, kujtoi me emocion Doruntina Siliqi.

Në këtë ditë përkujtimore, u botuan tre krijime të Kadaresë, që nuk janë botuar më parë si libër më vete.

“E bëra me qëllim që lexuesi të lexojë këto libra. Një libër i palexuar është një libër i ri“, tha botuesi Bujar Hudhri.

Për botuesin, ky është një akt mirënjohjeje ndaj një autori që i dha letërsisë shqipe përmasë botërore, po edhe një përgjegjësi ndaj lexuesve që vazhdojnë ta lexojnë dhe ta rizbulojnë Kadarenë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë