Loading…

Biden do të nxisë Perëndimin të krijojë aleancë kundër Kinës

  • 12/06/2021 | 13:24

Biden do të nxisë Perëndimin të krijojë aleancë kundër Kinës

Të shtunën (12 qershor) në ditën e dytë të samitit të G7-ës që po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do të nxisë vendet perëndimore t’i kundërvihen rritjes së ndikimit të Kinës, raporton BBC.


Biden pritet të bëjë thirrje për fuqizimin e aleancës në mënyrë që t’i bëhet ballë projekteve të Pekinit për ndërtimin e infrastrukturës në vendet në zhvillim.

Nisma “Një rrugë një Brez” e Pekinit, parasheh investime dhe huadhënie në miliarda dollarë për vendet në zhvillim.

Demokracitë perëndimore, para së gjithash, Shtetet e Bashkuara duan t’i kundërvihen kësaj nisme.

Zyrtarët amerikanë thonë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me përballjen me Kinën, por me paraqitjen e një alternative pozitive për botën.

Samiti do të zgjasë deri të dielën, më 13 qershor.

Ai mbledh së bashku udhëheqësit e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Japonisë.

SHBA-ja dhe aleatët e saj akuzojnë Kinën edhe për shkelje të të drejtave të njeriut në Ksinjiang të Kinës.

Në fillim të këtij viti SHBA-ja, Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja vendosën sanksione të koordinuara ndaj Kinës.

Sanksionet, përfshirë ndalimet e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve, shënjestruan zyrtarë të lartë në Ksinjiang të cilët janë akuzuar për shkelje serioze të të drejtave të njeriut kundër myslimanëve ujgurë.

Më shumë se një milion ujgurë dhe pakica të tjera vlerësohet se janë arrestuar dhe mbahen në kampe në provincën veri-perëndimore kineze.

Qeveria kineze është akuzuar për kryerjen e sterilizimeve të detyruara mbi gratë ujgure dhe ndarjen e fëmijëve nga familjet e tyre.

Udhëheqësit e G7-ës do të angazhohen gjithashtu për një plan të ri për të ndaluar pandemitë e ardhshme.

Masat përfshijnë shkurtimin e kohës së nevojshme për zhvillimin e vaksinave dhe trajtimeve në nën 100 ditë.

Është paralajmëruar se liderët e grupit do të zotohen për shpërndarjen e një miliard vaksinave kundër koronavirusit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se qëllimi i masave është “të sigurohemi se kurrë më nuk do të zihemi në befasi”.

Takimi i G7-ës përfundon të dielën.

Kjo është vizita e parë e presidentit Biden jasht vendit. Pas samitit ai do të udhëtojë në Bruksel për takime me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Të mërkurën (16 qershor) ai do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, në Gjenevë të Zvicrës. /REL

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë