Presidenti i SHBA’së, Joe Biden, ka vendosur të mbajë në listë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave të huaja terroriste. Sot u njoftua se Departamenti i Thesarit të SHBA’së ka sanksionuar një rrjet kontrabande të derivateve që financonin si Gardën Revolucionare Islamike poashtu edhe organizatën terroriste Hezbollah, transmeton Gazeta Metro.
Portali amerikan Politico kishte raportuar të martën se administrata Biden ka vendosur që Garda Islamike Revolucionare e Iranit të mbetet në listën e terroristëve sipas një zyrtari amerikan.
Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennet, ka deklaruar se kjo ishte konfirmuar atij nga vet Presidenti Amerikan Biden në muajin prill. Bennet e falënderoi Biden dhe e quajti “një mik i vërtetë i Izraelit”.
Çështja e mbajtjes apo largimit nga lista e organizatave terroriste të Gardës Islamike ishte përfolur si një kusht në negociatat me Iranin rreth programit të tyre bërthamor në Vjenë.
Departamenti i Thesarit të SHBA’së sot ka njoftuar se ka vendosur sanksione të reja ndaj një grupi të shtetasve dhe entiteteve iranianë, turq, rus, kinezë dhe libanezë që ishin të ndërlidhur me një rrjet kontrabande që kishte siguruar fonde për Gardën Revolucionare Islamike të Iranit dhe organizatës terroriste Hezbollah./gazetametro.net