Loading…

Bie shi nga qielli dhe s’të lagë

  • 11/05/2020 | 16:03

Bie shi nga qielli dhe s’të lagë

Poezi nga Hoze Saramago dhe Zhak Prever


HOZE SARAMAGO

1.NJË KRISHTI PLAK

Nëse ke fuqi sa thuhet, Krishti plak,

i sulmuar nga mola, i përbuzur,

i mbuluar me pluhur që infekton

plagën e zezë në brinjën tënde

nëse ke fuqi, sa thuhet, kush në ty beson

apo kush në fenë tënde të keqtrajton,

mund të bësh tani atë që nuk guxon

ai qe shtiret vetëm si dashuri dhe shenjtëri

përshtatet kjo meshë me një tjetër ligj,

bashkësi e Krishtit dhe e mëkatit,

këtë kredo ka poeti që të takon

në mahnitjen tënde prej zotit të provokuar.

2.FOL PËR MUA, HESHTJE

Sot s’ishte ditë fjalësh,

me synim poezish apo bisedash,

as kishte rrugë që të ish jona.

Për të na përcaktuar mjaftonte një veprim,

dhe meqenëse me fjalë s’e shpëtoj veten,

fol për mua, ti heshtje, se unë s’mundem.

3.LETËR  HOZESË  NGA VETË  HOZEJA

Unë të them, Hoze: me këtë letrën time,

Nuk  garantoj gënjeshtër ose të vërtetë:

ajo që unë s’di nga vetja ime më rrëmben

çiltërsinë e qenies dhe vullnetin.

Janë dëshira, hidhërime të kota,

janë krahë të ngritur dhe të rënë,

janë rrudha që bëjnë brazda komedish

dhe lodrash qindra herë të përsëritura.

Nga pas tavolinës, ose prapa pasqyrës,

t’i ndjek fjalët e përmbysura:

kështu do të shohësh nëse vlej dhe sa vlej

në përmbysje shenjash dhe masash.

(Ujëra të ngrirë brazdojnë lumin tim.

këngë të ngjirura zogu, që vijnë

nga heshtje të fshikulluara dhe nga tmerri,

agimin e një dite tjetër na kujtojnë).

Bie shi nga qielli dhe s’të lagë

nata bie midis nesh dhe s’të verbon.

Mos qesh Hoze, ti bëje zgjedhjen

ajo mbetet nga shpirti mua më mohohet.

Nga prapa tavolinës, nga më akuzon,

ja ku po ngrihesh. Gjurma e këmbës tënde,

mbi pragun e derës që refuzon

mbyll përgjithmonë këtë letrën time të papërfunduar.

Hija jote e shkelur, miku yt – Hoze.

 

JUDA
Nga buka, trupi; gjaku këtu, nga vera;

nga mjerimet njerëzore, perënditë:

perënditë e kota asgjë s’nxjerrin nga vetvetja

në tryeza tokësore përtërihen,

gjithçka i ushqen, hanë gjithçka,

dhe gjithçka iu zgjat vazhdimësinë.

 

Trupi i një të varuri është ushqim

dhe shkallë për në qiell është një trekëmbësh

një fik është froni, dhe drita paratë:

nuk ishte zot Jezusi, pa Judën.

 

POEZIA ME GOJË TË MBYLLUR
S’do të them:

heshtja më mbyt dhe më tapos.

I heshtur jam dhe i heshtur mbetem:

gjuha që unë flas është e një race tjetër.

 

Grumbullohen fjalë të ronitura,

pellgojnë, çisterna me ujë të vdekur,

të duash vuajtje të transformuara në baltë,

llum balte me rrënjë të spërdredhura.

 

S’do të them: që s’janë të denja,

as të thuhen fjalë të pa zonja

për të thënë sa di këtu pikërisht

në  strehim, ku s’më njohin.

 

Jo vetëm baltë apo llucë tërhiqen

jo vetëm kafshë, të vdekura, pluskojnë,

amkthe fruta të fryra gërshetohen në bistakë

në pusin e zi ku gishtat shfaqen.

 

Do të them vetëm,

me ashpërsi, i vetmuar dhe memec,

që kush ka heshtur për sa unë kam heshtur

nuk mund të vdesësh pa i thënë të gjitha.

 

ZHAK PREVER

KUR TI FLE

Natën ti fle

unë vuaj nga pagjumësia

të shoh të flesh

kjo më bën të vuaj.

Sytë e tu janë të mbyllur trupi i madh shtrirë

diçka qesharake kjo por më bën të qaj

dhe ja papritur ti qesh

qesh me të madhe ndërsa fle

po ku ndodhesh vallë në këtë çast

ku je nisur vallë vërtet

mbase me një tjetër vajzë

shumë larg në një tjetër vend

dhe ti qesh me të ti më qesh mua

 

Natën ti fle

unë vuaj nga pagjumësia

të shoh të flesh

kjo më bën të vuaj

Kur ti fle unë s’e di në më do

më afër por dhe larg

unë shtrëngohem pas teje nudo

por njëlloj sikur ti të mos ishe aty

megjithatë unë dëgjoj se rreh zemra jote

pa e ditur në rreh për mua

unë s’di asgjë unë nuk di më

do të doja që zemra të mos të të rrihte më

nëse një ditë ti s’do të më duash më

 

natën ti ëndërron  fle

unë vuaj nga pagjumësia

të shoh të ëndërrosh

kjo më bën të vuaj

 

Ç’do natë qaj gjithë natën

dhe ti ëndërron dhe qesh

po s’mund të vazhdohet kështu

sigurisht një natë unë do të të vras

atëherë edhe ëndrrat e tua do të marrin fund

dhe pastaj meqë dhe unë do të vras veten

do të marrë fund edhe pagjumësia ime

dhe kufomat tona të bashkuara

do të flenë së bashku në krevatin tonë të madh

 

Natën ti ëndërron

unë vuaj nga pagjumësia

të shoh të ëndërrosh

kjo më bën të qaj

Zbardh dita dhe ti zgjohesh menjëherë

tani ti qesh me mua

me diellin ti qesh

dhe unë për natën s’mendoj më

dhe ti më thua përherë po ato fjalë

«Ke kaluar një natë të qetë»

dhe unë si një  ditë më parë të them sakaq

«Po, i dashur, kam fjetur qetë

kam ëndërruar për ty si çdo natë.»

 

 

PUTHMË
 

Ishte një lagje e qytetit – Dritë

Ku bën përherë errësirë ku s’ka ajër kurrë

Dhe dimri si verë bën atje përherë dimri

Ajo ishte mbi shkallë

Dhe ai pranë saj dhe ajo pranë tij

Ishte natë

Binte erë squfur

Sepse pasdite kishin mbytur çimkat

Dhe ajo i thoshte atij

Bën  errësirë këtu

S’ka ajër

Dhe dimri si verë bën përherë dimri këtu

Dielli i Zotit të mirë nuk ndriçon këtu te ne

Ka shumë punë në lagjet e të pasurve

Shtrëngomë në krahë

Puthmë

Puthmë gjatë

Puthmë

Më vonë do të jetë tepër vonë

Jeta jonë është tani

Këtu plas gjithçka

Nga vapa dhe të ftohtit pastaj

Ngrin bën vapë

Ajër s’ka

Nëse ti pushon së puthuri mua

Besoj se do të vdesësh nga vapa

Je pesëmbëdhjetë vjeç, jam pesëmbëdhjetë vjeçe

Të dy bëhemi tridhjetë

Tridhjetë vjeç s’je më djalë i ri

Jemi pra në moshë pune

Kemi pra të drejtë të puthemi

Më vonë do të jetë tepër vonë

Jeta jonë është tani

Puhmë pra,  të putheml  !

 

KU SHKOJ, NGA VIJ
Ku shkoj, nga ç’vend vij,

Pse jam lagur.

Shkojmë, s’është e vështirë ta kuptosh.

Po bie shi.

Unë eci nën shi – dhe pastaj,

Dhe pastaj asgjë tjetër.

Shkoni në rrugën tuaj,

Si unë timen.

Pse llokoçitem në baltë?

Sepse më pëlqen.

Po shiu, më bën për të qeshur.

Qesh me gjithçka,gjithçka, gjithçka, gjithçka.

Po patët lot në xhep,

Është mirë që të ktheheni në shtëpi,

Është mirë që të qani veten tuaj,

Por lërmëni, ju lutem, lërmëni, lërmëni,

Po, lërmëni, ju  lërmëni.

Tingullin e zërit s’dua ta dëgjoj,

Shkoni në rrugën tuaj,

Shkoni në rrugën tuaj,

Si unë në timen .

I vetmi njeri që doja

Ishit ju ata që e vratë,

Që e rrahët me shkop, që ecët mbi të…

 

Që e goditët për vdekje.

Pashë gjakun e tij të rridhte,

Të rridhte në  prroskë,

Në prroskë.

Shkoni në rrugën tuaj,

Si dhe unë në timen.

Njeriu që doja vdiq.

Koka në baltë.

Ah,sa mund t’ju urrej.

T’ju urrej… është marrëzi… është e pabesueshme.

Dhe ju mallëngjeheni,

Ju jeni të mirë,shumë të mirë me mua,

Eh po,besomëni,tepër, tepër të mirë.

Të mirë… të mirë si vrasës minjsh ,me minj,

Por një ditë… një ditë të bukur,miushi do t’ju Kafshojë…

Shkoni,shkoni në rrugën tuaj

Njerëz të mirë… njerëz për së mbari.

Përktheu:  Faslli Haliti

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë