Loading…

Bini ecën vetë: Kurtit s’ia mbushi mendjen as amerikani Escobar, i vetmuar e pret izolimin

  • 27/01/2023 | 20:06

Bini ecën vetë: Kurtit s’ia mbushi mendjen as amerikani Escobar, i vetmuar e pret izolimin

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për REL ka vendosur që të arsyetohet për pasojat e strategjisë së tij në politikën të jashtme dy vjeçare që ngjarjet e kësaj jave dhe të asaj paraprakes, dëshmuan me vlerësimin ku nuk shkëlqeu. E gjeti edhe një fajtor për t’u arsyetuar e ky na qenka Emisari Amerikan, Gabriel Escobar, dhe jo për herë të parë. Më parë kishte lënë të nënkuptohet se diplomati amerikan ishte ca naiv sa i përket Serbisë madje, e sot doli i hidhëruar pse ky i fundit nuk qenka shprehur sipas qejfit të tij në Beograd, shkruan Gazeta Metro.


Të enjten në mëngjes shumica e kosovarëve u zgjuan me lajmin se kryeministri ynë e kishte pranuar aq shumë të kundërshtuarin nga ai, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – të plotë madje – në një darkë të vonë të mërkurën me Emisarin e BE’së Miroslav Lajcak. Si zakonisht të gjitha ujditë i shpallin gati një orë pas mesnate në Twitter.

Si shkoi gjatë dhe rreth 10 orë më vonë kryeministri tha se nuk qenka bash ashtu e shpiku ca rima si zakonisht që lënë të nënkuptohet që s’e paska pranuar. Telashi është që ka mundësi që kjo të interpretohet se kryeministri po deklaron se diplomati europian gënjeu në njoftimin e tij.

Kryeministri nuk e ka sefte që vepron kështu, pranon me komunikatat e ujdive në Bruskel se pajtohet që të gjitha marrëveshjet e dala nga dialogu në Bruksel vlejnë e do të zbatohen, pastaj e shpik në opinion se renditja qenka me rëndësi. Asociacioni do të diskutohet në kuadër të planit franko-gjerman, pa e thënë askush këtë, vetëm ai.

Kur ballafaqohet drejtpërdrejtë me faktin se ‘Zajednica’ e urryer vjen para diskutimeve të reja në Bruksel sipas konceptit të ri të Propozimit Europian, e i paralajmëruar me kohë që në kohën e krizës së targave se do të ketë pasoja për palët penguese të procesit, ankohet se e paskan kërcënuar me humbje të mbështetjes perëndimore të premten e kaluar pesë emisarët. Ishte pajtuar me këto pasoja vetë ai kur ishte zgjidhur kriza e targave kur me këmbëngulje kishte rrezikuar përshkallëzimin në një konflikt në veri për ta futur në ujdi planin franko-gjerman. Tani që u fut s’qenka edhe aq ai plan sipas tij.

Që nga fillimi i qeverisjes së tij, kryeministri e kishte vlerësuar, në publik së paku, si me prioritet më të ulët dialogun me Serbinë në Bruksel. Kur e pa që nuk po i ndez kjo rimë më dhe se politikën e brendshme e ka më zhgënjyese se të jashtmen tani -me ministra që shkelin kushtetutën pa u trembë fare e të tjerë që shkelin edhe vajza me veturë e arsyetohen se ishte vajza që i ra veturës- vendosi të merret me të më seriozisht, në dukje së paku pasi me të është angazhuar që nga fillimi dhe nuk e bindin askënd ato rima. S’ka rima e as vitra nga 100 euro që e shesin varfërinë, emigrimin, mungesën e rrymës elektrike, mungesën e perspektivës, e as nuk mund të fshihesh me akuzat për ‘regjimin e vjetër’ më, megjithëse po tenton me suksesin e vetëm se janë shndërruar në ‘meme’. ‘Punë ka vetëm për kameramanë e montazherë në Kosovë’ tallen në internet.

“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, tha Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë, ku po provonte të arsyetohej pse nuk është ftuar nga Ambasada Amerikane me 31 janar për të diskutuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri foli në intervistë thuajse kjo na qenka e habitshme se çka na tregoi. Thuajse nuk qenkemi paralajmëruar ne si shoqëri kosovare se kjo na pret. Thuajse ne të gjithë nuk e paskemi ditur që si një shtet e shoqëri kemi obligime dhe zotime e do të penalizoheshim nëse nuk do t’i përmbaheshim atyre zotimeve.

Gabriel Escobar e kishte thënë hapur dhe qartë, se e kemi obligim zotimin si Kosovë, e si shtet që synon të pranohet në bashkësinë e shteteve të tjera duhet ta mbani fjalën. Një njeri nuk mund ta ndryshojë këtë fakt, kishte shtuar poashtu, pasi jeni pajtuar si shoqëri. Kryeministri Kurti nuk dukej aq i bindur, dhe mbeti sfidues dhe i vetëm tani akuzon dhe viktimizohet duke tentuar ta fusë gjithë Kosovën në një thes me të. Për fatin e tij të keq, ai dhe politika e tij e jashtme që e udhëhoqi u vlerësuan pas dy vitesh ku doli me notë të pamjaftueshme. Ngeli, i vetëm.

“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, tha Kurti tutje në intervistë.

Një deklaratë kjo prej një inatçori kjo e pa ndërlidhje me çështjen. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur Kosovën dhe po e shtynë atë përpara drejt anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB, të vetmit që edhe munden, duke e lënë kundërshtimin e Serbisë aq të parëndësishëm sa presidenti serb Aleksandar Vucic sot akuzohet hapur në Serbi si tradhtar nga opozita serbe, siç ishte akuzuar edhe kur e nënshkroi Marrëveshjen e Brukselit më 2013.

Escobar nuk kishte thënë vetëm kaq në deklaratën e tij, që kryeministrit Kurti i konvenon të harrojë siç edhe po duket. Diplomati amerikan kishte thënë se shumë energji, para dhe kohë po shpenzohet në kriza të panevojshme për targat e Kosovës dhe Serbisë, e i gjithë ky shpenzim iu duhet për luftën e Ukrainës në një kauzë të mposhtjes së fashizmit të Rusisë që po kërcet në dyert e Europës demokratike. Kërkesa nuk mund të jetë më e qartë, mos u bëni pengesë në këtë proces, duke e ofruar edhe propozimin europian si zgjidhje me të gjitha garancitë se ‘Zajednica’ është vetëm aq dhe jo një ‘Republika Srpska’ tjetër. Deklarata e Escobar se Kosova nuk duhet të bëhet pengesë në përpjekjet e Perëndimit demokratik në luftë me fashizmin rus, mund të shkonte më tej, siç nuk përton ish Emisari Amerikan Richard Grenell, se veprimtarisë së kryeministrit Kurti i gëzohen në Moskë.

Pasojat e strategjisë së politikës së jashtme të kryeministrit Kurti do t’i vuajmë të gjithë ne qytetarët e Kosovës. Fajësinë siç po tenton ai ta hedhë diku tjetër nuk mund ta ketë shoqëria kosovare. Ishte kryeministri Kurti që e caktoi renditjen e prioriteteve, ai që zgjodhi këtë taktikë, pa e pyetur askënd dhe duke i sharë dhe përqeshur të gjithë që s’pajtoheshin me të. Qartë e ka shprehur qasjen e tij edhe në Kuvendin e Kosovës rreth të gjitha çështjeve me atë arrogancën e 51 përqindshit, ‘populli nuk është ekspert’. Mirë fort zoti kryeministër, ecni vetë edhe këtë herë./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë