Kryeministri Albin Kurti ende s’ka folur për çështjen e gjendjes në Veri që ia vlerësuan si një veprim të panevojshëm e të rrezikshëm, një shteg i gabuar e i rrezikshëm siç e quajti kryeministri Edi Rama, ndërsa reagimi i cili ishte më seriozi për nga rëndësia por dhe pesha, ishte nga Washingtoni zyrtar, ku u tha se do ketë pasoja në raportet SHBA- Kosovë, ndonëse nuk munguan as ‘ngrehje veshi’ nga vendet mike europiane ndaj këtyre veprimeve, shkruan Gazeta Metro.
Rresht dolën dhe e dënuan veprimin e autoriteteve kosovare në Veri për të vendosur në ndërtesat e komunave kryetarët e votuar nga minimalja e banorëve lokalë. Kishin paralajmëruar me kohë se teknikisht kanë të drejtë por ka një proces politik e diplomatik e vend tjetër ku vendoset për këto çështje.
Reagimi i parë i ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, i menjëhershëm e i papritur madje kur më parë i dëgjonim rreth mesnate dhe atë për të ofruar zgjidhje nga krizat, këtë herë mund të thuhet se ishte i pamëshirshëm. As që u mundua ta zbukurojë me gjuhë diplomatike. Fajtore është pala kosovare.
Ishte Senatori Amerikan Chris Murphy që sapo ishte larguar nga rajoni pas vizitave në vend që i kishte shtuar kritikave edhe një dimension tjetër, të një lloj mashtrimi që u nënkuptua nga shkrimi i tij në Twitter se si qenka zënë në befasi nga ky veprim. Ai e kuptonte se ka të drejtë Kosova që këmbëngul në rregull, por është problem politik ky. Së paku u mundua të argumentojë e të trajtojë çështjen më qetë, për dallim prej diplomatit Hovenier.
Jo shumë orë pas ambasadorit Hovenier, shefi i tij në Washington D.C. Sekretari i Shtetit Amerikan ishte edhe më i ashpër kur dihet pesha që rëndoi shumë, i cili e tha qartë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA’së do të kenë pasoja.
Bashkimi Europian që gjatë kohë ankohet se të dy palët po monetizojnë krizat si ajo kosovare por edhe serbe, pa e thënë artificiale, por të nënkuptuar, u kujdesën që të ruajnë në dukje së paku rolin e lehtësuesit, nuk e emëruan se kë konsiderojnë fajtor por e theksuan se nuk pranojnë më veprime të njëanshme.
Shqipëria, që dhemb më së shumti, ka mbështetur kryeministrin Kurti në synimet e veprimet e shtrirjes së rendit e ligjit kosovar në Veri, edhe kur kundërshtohej nga aleatët. Këtë herë jo, me një dozë keqardhje e zhgënjimi kryeministri Edi Rama, këshilloi kosovarët të mos i bëjnë dëm vetes dhe u distancua edhe ai.
Presidentja Vjosa Osmani bëri atë që mundi me disa paragrafë të zjarrtë në reagimin e saj kundër strukturave e bandave ilegale të Vucic, e në të fundit prapa kthehu e shtoi shiko pa këta miqtë tanë s’po na e qet aq mirë pazari.
S’ka kush tjetër t’i dalë krah Kurtit e Kosovës, përpos legjioneve të luftëtarëve me tastiera në rrjete sociale, që s’shihen e s’dëgjohen por i shërbejnë si kërbaç për këdo që shkruan kundër.
Kryeministri Albin Kurti ndoshta edhe po llogaritë në këtë vetmi e kundërshti për të kultivuar kultin e liderit të paepur e përforcimin e mentalitetit të shtetrrethimit me këtë narracion që i kreu punë në zgjedhjet e kaluara e që duket se po ia mësynë të rejave për të djegur lojën tash kur i duhet të përmbushë obligimet e pranuara.
Telashi për të dhe për ne kosovarët që të njëjtat probleme na presin u shty për ca kohë kjo çështje me një krizë të re, ose po u mbajtën zgjedhje. Thjeshtë s’ka ku fshihet e as pas çka të fshihet, mundet vetëm të vet menaxhohet./gazetametro.net