Loading…

Biznese individuale shumë, shoqëri aksionare më së paku

  • 19/06/2019 | 10:33

Biznese individuale shumë, shoqëri aksionare më së paku

Kosova vuan nga mungesa e thellë e zhvillimit ekonomik, e shkaktuar kryesisht ngaqë vendi kishte dalë nga një periudhë e rëndë që i shkaktoi humbje të mëdha në infrastrukturë industriale dhe në përgjithësi në ndërmarrësi, dhe e përcjellë nga një mungesë e përgjithshme e reformimit të sistemit ekonomik, gjë që ka sjellë vendin në një gjendje të rëndë të zhvillimit ekonomik, shkruan Gazeta Metro.

Treguesit kryesorë të mungesës së zhvillimit janë papunësia, bruto prodhimi i ulët për kokë banori dhe pagat e ulëta të sektorit privat.

Megjithatë, pasqyrë interesante e gjendjes në të cilën gjenden bizneset dhe ndërmarrjet e Kosovës është edhe fakti që pjesa dërrmuese e tyre janë të regjistruara si biznese individuale, pra janë të hapura dhe funksionojnë nën kujdesin e vetëm një individi apo subjekti, ndërkohë që shoqëritë aksionare – të cilat në përgjithësi konsistojnë në biznese të mëdha me nevojë më të shtuar për investime dhe burime njerëzore – janë të pranishme në tregun kosovar me vetëm 0.29 përqind.

Thënë në shifra, ndërmarrje që funksionojnë si shoqëri aksionare në Kosovë janë vetëm 552, ndërkohë që biznese individuale janë gati 150,000 apo më shumë se 80 përqind.

Një perspektivë e tillë e gjendjes në biznesin kosovar mund të shihet në njërën nga vizualizimet e platformës Bizneset e Hapura të zhvilluar nga organizata Open Data Kosovo, e cila ka përdorur metodën ëeb Scraping për të marrë të dhënat e bizneseve nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), dhe më pas për të krijuar grafikone që tregojnë gjendjen e ndërmarrësisë në sektorë të ndryshëm në Kosovë.

Prania e ulët në treg e shoqërive aksionare tregon që biznesi i madh është në fazë të ulët të zhvillimit, pasi që investimet e mëdha nga investitorët nga jashtë vendit dhe të tjerë në shumicën e rasteve konsistojnë në iniciativa aksionare, për të përballuar më lehtë investimin dhe mundësinë e dështimit të ndërmarrësisë.

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara (SH.P.K) si kategori është e renditur e dyta sa i përket pranisë në tregun e biznesit, me 16.5 përqind apo më shumë se 30,000 biznese të regjistruara nën këtë kategori. Ndërkaq, ortakëria e përgjithshme dhe dega e shoqërisë së huaj janë gjithashtu në nivel të ulët, me 1.88, përkatësisht 0.51 përqind të pjesëmarrjes në treg.

(Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo)./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë