Loading…
Biznese interesante në Kosovë: Riparim aeroplanësh e anijesh kozmike
  • 18/06/2019 | 14:35

Biznese interesante në Kosovë: Riparim aeroplanësh e anijesh kozmike

Kosova nuk është e shquar për industri të zhvilluar dhe aktivitet të hovshëm ekonomik, dhe veprimtaritë kryesore tregtare vazhdojnë të jenë bizneset tregtare dhe ekonomitë familjare të zakonshme, shkruan Gazeta Metro.

Megjithatë, kërkimi në databaza që mbajnë regjistra të ndryshëm të bizneseve nxjerrin në pah edhe praninë e disa bizneseve që merren me veprimtari interesante, aspak karakteristike për industrinë e pazhvilluar të vendit.

Bizneset e Hapura, platformë e zhvilluar nga organizata Open Data Kosovo, mundëson kërkimin nëpër regjistrat e bizneseve të marra nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), përmes disa filtrave përmes të cilit mund të nxirren të dhëna të ndryshme për aktivitetin që zhvillojnë bizneset në Kosovë.

Përmes filtrimit të aktiviteteve të ndryshme të bizneseve në seksionin ‘Top 10 Aktivitetet që Shërbehen nga Bizneset’, Riparimi dhe mirëmbajtja e aeroplanëve dhe anijeve kozmike është aktiviteti që zhvillohet nga më së paku biznese nga të gjitha veprimtaritë tjera – gjithsej shtatë.

Në ARBK, figurojnë dy biznese nën këtë aktivitet.

Repair Kosovo LLC dhe Adria Tehnika Kosovo LLC janë dy biznese nën këtë aktivitet të regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuara në komunën e Prishtinës të cilat merren me aktivitetin e mirëmbajtjes së aeroplanëve dhe anijeve kozmike si aktivitet primar, me aktivitete të tjera sekondare dhe terciare të regjistruara në ARBK.

Në përgjithësi nuk është plotësisht e qartë nëse këto biznese vërtetë kanë si aktivitet edhe riparimin e anijeve kozmike – gjë shumë e vështirë të mendohet si aktivitet i zakonshëm në Kosovë – porse procedurat për regjistrimin e bizneseve në ARBK e kërkojnë që biznesit të regjistruar t’i specifikohen qartë veprimtaritë nën disa kategori të menduara për disa lloje biznesesh.

Ndërtimi i anijeve dhe strukturave lundruese është aktivitet që gjithashtu zhvillohet nga shtatë biznese në Kosovë, por në ARBK nuk figuron asnjë biznes i regjistruar me këtë aktivitet.

Kategori të tjera interesante të regjistruara në Bizneset e Hapura dhe në ARBK si kategori biznesesh janë edhe përpunimi i lëndëve djegëse nukleare, rritja e deveve, marrja dhe dhënia me qira e videokasetave dhe të tjera aktivitete me një numër të vogël apo me asnjë biznes që zhvillojnë këtë aktivitet, mirëpo që ekzistojnë si kategori në të cilat mund të regjistrohen biznese të reja.

(Ky artikull është publikuar si pjesë e projektit “Përmirësimi i praktikave të transparencës së qeverisë dhe të bizneseve nëpërmjet të dhënave të hapura” financuar nga Ambasada Amerikane dhe që implementohet nga Open Data Kosovo)./gazetametro.net

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +386 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë