Loading…

Biznesmenët në Kosovë e Serbi peshojnë përfitimet nga normalizimi i marrëdhënieve

  • 17/03/2023 | 18:00

Biznesmenët në Kosovë e Serbi peshojnë përfitimet nga normalizimi i marrëdhënieve

Pro bashkëpunimit dhe marrëveshjeve. Ky është qëndrimi i disa biznesmenëve nga Kosova dhe Serbia, në prag të takimit të udhëheqësve të të dyja vendeve, me synim normalizimin e marrëdhënieve.


Për Radovan Mijatoviqin, drejtor i kompanisë “Hemotehna” nga Subotica në veri të Serbisë, stabiliteti politik do të mundësonte rritjen e shkëmbimeve tregtare.

“… do të lehtësonte dhe përshpejtonte transportin e mallrave si dhe transaksionet e pagesave”, (shkruan REL).
Kompania e tij merret me prodhimin e ambalazheve plastike për lëndë kimike.

Ngjashëm shprehet edhe Fejzullah Mustafa, pronari i kompanisë “Fluidi” në Gjilan – pjesa lindore e Kosovës – e që operon edhe në Preshevë – pjesa jugore e Serbisë.

Kjo kompani është e angazhuar në prodhimin e lëngjeve.

“Normalizimi i marrëdhënieve politike mes dy vendeve duhet të çojë në përmirësimin e situatës dhe në heqjen e pengesave [ekonomike]”, thotë Mustafa.

Odat Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë, të cilat përfaqësojnë interesat e biznesmenëve në të dyja vendet, pajtohen gjithashtu se një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit, përveçse do t’i hiqte barrierat tregtare, do të krijonte mjedis edhe për investime të huaja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për një rund të ri të bisedimeve që i ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

BE-ja pret që dy udhëheqësit të bien dakord për aneksin e zbatimit të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

Përmbajtjen e këtij propozimi ata e kanë pranuar në parim, gjatë një takimi në Bruksel, më 27 shkurt.

“Marrëveshja do të nënkuptonte transport më të lehtë të mallrave”
Kompania “Hemotehna” nga Subotica ka gati 30 vjet që bashkëpunon me partnerët e biznesit në Kosovë.

“Kompanitë nga Kosova janë partnerë tanë afatgjatë. Ne kemi bashkëpunuar me to që nga viti 1995. Ato kryesisht janë blerëse të ambalazheve për pesticide, plehra të lëngëta dhe farmaceutike”, thotë drejtori i kompanisë, Radovan Mijatoviq.

Por, Mustafa, pronar i kompanisë “Fluidi” nga Gjilani, thotë se pavarësisht marrëveshjes politike, “do të duhet kohë që konsumatorët në Serbi t’i pranojnë mallrat e prodhuara në Kosovë”.

“Megjithatë, kjo është në vullnetin e konsumatorëve të të dyja vendeve”, thotë ai.

Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova ka pasur sfida të ndryshme në aspektin e shkëmbimit ekonomik me Serbinë, marrë parasysh se Beogradi zyrtar nuk e njeh Kosovën, përkatësisht dokumentet e lëshuara nga institucionet e saj.

Një nga pengesat me të cilat përballen prodhuesit në Kosovë, është mosnjohja e certifikatës së origjinës së produkteve, e lëshuar nga institucionet e Kosovës.

Tre vjet më parë, kompania e këpucëve “Solid” nga Suhareka, afër Prizrenit, është detyruar ta heqë nga prodhimet e veta etiketën “Made in Kosova”, apo “E prodhuar në Kosovë”, që të mund të eksportonte mallra në Serbi.

Kështu, në produktet e “Solidit” mund të gjendet vetëm një vulë, ku shkruan Suharekë, apo qyteti ku prodhohen.

“Ata [Serbia] nuk e kanë pranuar kurrë ‘Made in Kosova’. Kjo më ka bërë të tërhiqem nga ai treg… Nëse ne blejmë produkte ‘Made in Serbia’, pse ata të mos blejnë ‘Made in Kosova’”, thotë pronari i kësaj kompanie, Shpejtim Kuçi.

Mijatoviq, pronar i kompanisë nga Subotica, tregon po ashtu për ndikimin e politikës në marrëdhëniet ekonomike Kosovë-Serbi:

“Politika ndikon në krijimin e një atmosfere që çon në hezitim për të blerë mallra vetëm se janë nga rajonet e Serbisë apo Kosovës, pavarësisht se sa më cilësore dhe më të lira janë ato mallra”.

I pyetur se cilat janë pengesat më të mëdha në tregtinë mes Serbisë dhe Kosovës, Mijatoviq përmend, mes tjerash, kontrollet në kufi që “në përgjithësi zgjasin më shumë se ç’duhet”, mbulimin e simboleve shtetërore në targat e automjeteve dhe fushatat: “Blejmë produkte vendore”.

“Të gjitha këto kanë efekt në çmimin e mallrave të eksportuara dhe ne, si partnerë, e humbasim ritmin me konkurrencën, e cila shfrytëzon çdo mundësi për të hyrë në treg”, thotë Mijatoviq.

Zhbllokimi i investimeve
Propozimi evropian synon të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument, i cili fillimisht njihej si plani franko-gjerman, ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përfaqësues të Odave Ekonomike të Kosovës dhe Serbisë shprehin, po ashtu, bindjen se propozimi evropian do t’i eliminojë barrierat tregtare mes dy shteteve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se zbatimi i tij do ta rrisë edhe motivimin e investitorëve të huaj për ta shtrirë kapitalin e tyre në Kosovë.

Sipas tij, trazirat e herëpashershme politike në Kosovë, sidomos në veriun e banuar me shumicë serbe, e kanë paraqitur vendin si të pasigurt në sytë e investitorëve ndërkombëtarë.

“Normalizimi i raporteve paraqet një lloj sigurie juridike dhe politike. Ne kemi pasur rastin e tensioneve, bllokimin e rrugëve, vitin e kaluar. Kjo nuk është pasqyrë e mirë karshi investitorëve potencialë”.

Këshilltari i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë, Nenad Gjurgjeviq, thotë se zbatimi i planit të BE-së do t’i rrisë edhe investimet e përbashkëta të Kosovës dhe Serbisë dhe, njëherësh, do të ketë efekt pozitiv në gjithë Ballkanin Perëndimor.

Ai thotë se Odat Ekonomike të Serbisë dhe Kosovës e kanë ruajtur bashkëpunimin edhe në “momente sfiduese”.

“Ne promovojmë bizneset dhe bashkëpunimin ekonomik. Gjithçka që mund të sjellë rezultate – e që nuk varemi nga ndonjë nivel politik – mendoj se e kemi arritur”, thotë Gjurgjeviq.

Shkëmbimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Gjatë vitit 2022, Kosova ka importuar produkte nga Serbia në vlerë prej 371.6 milionë eurosh, ndërsa ka eksportuar në Serbi 60.7 milionë euro produkte, tregojnë të dhënat e Doganës së Kosovës.

Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave të Serbisë, në vitin 2022, ka pasur shkëmbim rekord të mallrave ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – në vlerë prej rreth gjysmë miliardi euro.

Të dhënat e Odës Ekonomike të Serbisë tregojnë se Serbia ka eksportuar më shumë mallra në Kosovë sesa ka importuar. Vlera e eksporteve, sipas tyre, ka qenë 467.3 milionë euro, ndërsa e importeve 61.7 milionë euro.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë