Loading…

Blerim Latifi kujton ‘vjeshtë e zymtë politike’për Kosovën dhe Adem Jashrarin

  • 03/11/2021 | 11:01

Blerim Latifi kujton ‘vjeshtë e zymtë politike’për Kosovën dhe Adem Jashrarin

Profersori universitar, Blerim Latifi, ka përkujtuar vjeshtë e vitit 1991, të cilën e ka vlerësuar si vjeshtë të zymtë politike për Kosovën, tek ka përshkruar situatën e përgjithshme politike nën regjimin e Serbisë, shkruan Gazeta Metro.


“Tridhjetë vite më parë ishte një vjeshtë e zymtë për Kosovën. E zymtë jo në kuptimin gjeografik të fjalës, por në kuptimin politik të saj. Pas më shumë se dy vitesh të mbushura me demonstrata popullore, regjimi serb ia kishte dalë ta thyente vullnetin e shqiptarëve për rezistencë aktive. Të rinjtë që kishim mbushur sheshet dhe rrugët e Kosovës duke u përballur me policinë serbe, tani po bënin gati valixhet për të marrë rrugët e mërgimit. Ne ishim pajtuar me idenë se me Serbinë nuk mund t’i matnim forcat, prandaj duhej të ulnim kokën para policit serb dhe të duronim pendrekun e tij. Krejt çfarë mund të bënim ishte të shpresonim në shpëtimin nga ndonjë fuqi e jashtme, të cilës do t’i thyhej zemra nga vuajtjet tona. Duro dhe shpreso! Kjo ishte parulla me të cilën përpiqeshim t’i jepnim kuptim ekzisncës sonë në ferrin e aparteidit serb.

Frika bëhej edhe më e madhe kur mblidheshim në mbrëmje pranë televizorit dhe shikonim kronikat e luftës në Kroaci: Vukovari i shndërruar në gërmadhë totale, Dubrovniku që bombardohej nga Mali i Zi, çetnikët që tundnin thikat në Knin dhe kërcënonin të pushtonin Zagrebin. Në anën tjetër tensionet ndëretnike në Bosnjë vazhdonin të rriteshin. Ato paralajmëronin masakrat e radhës në emër të krijimit të Serbisë së Madhe. Lufta ishte kthyer në një makth, të cilin donim ta mbanim sa më larg vetes. Dhe për këtë na ndihmonte iluzioni se një ditë do të çliroheshim nga Serbia pa shkrepur asnjë plumb. Por ishte dikush që nuk besonte në këtë iluzion”.

Tutje, Latifi specifikisht ka kujtuar edhe Komandatin Adem Jashri dhe punën e tij për fillimin e organizimit të UCK-së.

“Në mëngjesin e 3 nëntorit 1991 një grup burrash po kalonte kufirin Kosovë-Shqipëri përmes bjeshkës së Pashtrikut. Në krye të tij ishte Adem Jashari. Po shkonin në Shqipëri për të nisur atë që asokohe dukej vetëm një ëndërr folklorike: përpjekjet për fillimin e organizimit të rezistencës së armatosur. Duheshin armë dhe përgaditje ushtarake. Pas një muaji ushtrimesh, grupi mori rrugën e kthimit. Njerëzit e fundit që kishin hyrë të armatosur nga Shqipëria ishin diversantët e dërguar nga Enver Hoxha në vitet pesëdhjetë. Si për koincidencë njëri prej këtyre diversantëve ishte një kusheri i Adem Jasharit, Isa Zymer Ahmeti, nipi i Ahmet Delisë.

40 vite më pas shtegut të tij do të kthehej edhe Adem Jashari. Me të arritur në Kosovë grupi do të dekonspirohej dhe në mëngjesin e 30 dhjetorit shtëpia e Adem Jasharit do të rrethohej me forca të mëdha policore. Pas gjysmë ore të këmbimit te zjarrit, Ademi dhe Hamza do të çanin rrethimin të pa dëmtuar. Ky rrethim nuk mund të ishte fundi i tyre.Historia kishte ruajtuar një fat tjetër për ta, një fat që do t’i jepte fund njëherë e përgjithmonë fatkeqësisë shekullore të shqiptarëve të Kosovës.

Kështu kishte nisur rruga e lirisë. Hapi i parë, mposhtja e frikës, ishte hedhur. Dhe, siç thotë Hegeli, vetëm ata që mposhtin frikën nga vdekja prej tiranit, e meritojnë lirinë”, ka shkruar Latifi në llogarinë e tij në Facebook. /gazetametro.net

 

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë